Hotelet në Strugë e Ohër mbetën pa ndihmën e premtuar për pagat minimale

Shumica e hotelierëve në Strugë dhe Ohër mbetën pa ndihmën e premtuar shtetërore në pagat minimale, për punonjësit në objektet e tyre. Kjo vjen pasi autoritetet u thanë atyre se nëse dëshironin të merrnin ndihmë, atëherë do të duhej ti kthenin në punë punëtorët sezonal, që hotelierët i kishin punësuar vetëm gjatë sezonit turistik. Nga Shoqata e Hotelierëve thonë se numri i të punësuarve sezonal ishte vetëm 10% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve.

Tani vetëm për shkak të tyre ne nuk marrim paga për mbi 100 punonjës të tjerë, që i mbajmë gjatë gjithë vitit. Që të marrim mbështetje për muajt nëntor dhe dhjetor duhet ti kthejmë punëtorët sezonal ndërkohë që hotelet nuk punojnë. Nuk ka logjikë- deklaroi Kërste Blazheski-Kryetar i HOTAM.

Hotelierët kërkojnë punëtorët sezonal të përjashtohen nga masa e pagës minimale.

Numri i të punësuarve sezonalë në vendin tonë ishte 10 nga gjithsej 150 të punësuar, dhe ata 10 punonjës na bëjnë problem që të aplikojmë dhe ta marrim atë ndihmë financiare- pohoi Filip Mishevski – menaxher i hoteleve në Ohër.

Ndryshe, shpenzimet më të mëdha për hotelet janë pagesa e pagave dhe faturave të energjisë elektrike. Më shumë se gjysma e hoteleve të mëdha, pas përfundimit të verës, tashmë janë mbyllur, dhe planifikojnë të qëndrojnë të mbyllur deri në pranverë. Më shumë se 3,000 persona janë të punësuar në industrinë hoteliere vetëm në bregun e Ohrit dhe Strugës.

Miki Trajkoski

LEXO EDHE:

Back to top button