Këshilli i Sigurisë propozoi shpalljen e gjendjes së krizës në mbarë territorin e vendit

Këshilli i Sigurimit i rekomandon Qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës për 30 ditë. Kjo sipas Presidentit, Stevo Pendarovski bëhet me qëllim që armata të dalë në mbështetje të policisë dhe organeve shtetërore në luftën kundër pandemisë. Pendarovski shpjegon se gjendja e krizës nuk nënkupton gjendje e jashtëzakonshme apo orë policore.

Dispozitat ligjore i japin mundësi Qeverisë të menaxhojë me resurset shtetërore publike, ndërmarrjet publike të komunave dhe të komunave në Qytetin e Shkupit duke përfshi dhe shoqëritë private, përkatësisht shtëpitë private të shëndetit. Zbatimi i gjendjes së krizës nuk ka asnjë lidhje me orën policore në gjithë territorin dhe fuqizimin e masave kufizuese eventuale ndaj lëvizjes së lirë –  u shpreh Stevo Pendarovski, President.

Kryeministri Zoran Zaev thotë se për momentin nuk ka nevojë për orë policore.

Nuk përjashtohet mundësia për mbyllje dhe orë policore, por për momentin një gjë e tillë nuk shqyrtohet. Ajo mbetet në kompetenca të Komisionit dhe dua të sqaroj se gjendja e krizës nuk ka lidhje me orën policore, por duhet respektuar masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit që të evitohen lëvizjet e panevojshme pas orës 21 dhe të respektohen masat bazike – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se me shfrytëzimin e kapaciteteve nga klinikat private, pritet amortizimi i presionit ndaj personelit mjekësorë. Mënyrë e pagesës së shërbimeve mjekësorë në klinikat private do të rregullohet në bazë të Ligjit për menaxhimin me kriza.

Rëndësi më të madhe kanë kapacitetet spitalore dhe mjekët që duhet përfshirë në këtë luftë. Për çdo çështje tjetër besoj se të premten do të kemi përgjigje adekuate – tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Në rast se deri nesër përfundojnë të gjitha procedurat juridike për zbatimin e gjendjes së krizës, Qeveria pritet që në mbledhjen e nesërme të miratojë rekomandimin e Këshillit të Sigurisë. Në mbledhje të Qeverisë duhet saktësuar edhe koeficienti në bazë të cilit duhet kompenzuar klinikat private për shërbimet mjekësorë. Në Ligjin për menaxhimin me kriza saktësohet mbulimi i 30 për qind të shumës ndaj shërbimeve, personelit dhe pacientëve nga ana e Qeverisë, ndërsa 70 për qindëshi i ngelur, mbetet e paqartë nëse duhet ta mbulojnë qytetarët apo ta mbulon Fondi Shëndetësor. Ligji i mundëson qytetarëve të heqin dorë nga kurimi në klinika private.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button