Kasami ndërpret kontratat në vepër, kërkon mjetet të kthehen në buxhetin e komunës

Vjollca Aliti

Të paktën 350 persona të punësuar me kontratë në vepër në komunën e Tetovës të cilët vite me radhë kanë marrë rrogë pa shkuar në punë do të duhet t’i kthejnë paratë në buxhetin e Komunës. Kështu paralajmëroi kryetari i ri i Tetovës Bilall Kasami, gjatë shpalosjes së planit për 100 ditshin e parë të punës së tij. Ai tha se këtyre personave u ndërpriten kontratat, ndërsa do të hetohet nëse numri i tyre është më i madh se 350.
“Vendimi është që të ndërpriten të gjitha kontratat të kërkohet raport për realizimin e punëve në bazë të kontratave dhe për këtë do kemi press konferencë të veçantë ku do njoftoheni sa kanë qenë këto kontrata, sa është dëmtuar buxheti i komunës dhe për ato mjete në bazë ligjore do të kërkojmë kthimin e parave nga gjithë ato të cilët i kanë marrë mjetet e qytetarëve tanë, pa të drejtë”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.

Kasami tha se edhe përkundër shkeljeve ligjore të ish drejtuesve komunal të gjitha punimet infrastrukturore që veçmë kanë nisur do të përfundohen. Kreu i Tetovës paralajmëroi heqjen e tërësishme të shtyllave të korsive të biçikletave, masa të tjera infrastrukturore dhe zgjidhje për qentë endacakë.

“ Shkeljet janë ligjore sepse sipas informatave paraprake që presim ti konfirmojmë bëhet fjalë edhe për shkelje të afateve ligjore të kodit zgjedhor që do të thotë mos nisjen e punimeve brenda afatit ligjor por ka edhe shkelje të procedurës së tenderimit. Shtegu i biçikletave ka vendim gjyqësor, padi kundër kryetares së kaluar, ne jemi të detyruar si komunë që të respektojmë vendimin e gjykatës për largimin e atyre sinjalizuesve“, tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.

Kasami theksoi të dhënat paraprake tregojnë se borxhi i Komunës së Tetovës është mbi 20 milion euro, por pritet që kjo shifër të jetë shumë më e lartë. Ndërkohë seanca e parë e këshillit të komunës së Tetovës me përbërjen e re është caktuar për të enjten./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button