Mësimi online, ka filluar vlerësimi i nxënësve

Mësimdhënësit kanë filluar me vlerësimin e nxënësve, proces ky i cili duhet të përfundojë deri më 20 nëntor. Vlerësimi rekomandohet që të bëhet online ashtu si edhe është procesi mësimor, mirëpo, mësimdhënësit që kanë dyshime në rezultatet e vlerësimi të disa nxënësve, i thërrasin këta të fundit që të testohen me prani fizike në shkollë. Nxënëset e vitit të parë në Shkollën e Mesme “ Cvetan Dimov”, ishin gëzuar nga fakti që do të vinin në shkollë, edhe pse i kishin kapluar emocionet nga fakti se duhet të testohen.

Ne jemi paralelja e para tre dhe studiojmë farmaci. Kemi test në lëndën e anatomisë. Menjëherë në fillim jemi përshtatur. Profesorët na kanë treguar qartazi si të përdorim sistemin online. Kemi mësuar si duhet, por kemi pak stres”-pohoi Lejla Rexhepi, nxënëse.

Kemi ardhur të bëjmë test në lëndën e anatomisë. Nuk e di edhe me prezencë fizike kemi pasur stres, por kështu edhe më shumë. – Keni pasur vështirësi për realizimin e mësimit online?– Fillimisht po, por pastaj jemi përshtatur. I mbajmë mend edhe profesorët na shpjegojnë shumë mirë edhe ne mësojmë”-tha Rejhan Sejfa, nxënëse.

Vullnet Rexhepi, profesor i biologjisë në Shkollën e Mesme “ Cvetan Dimov”,  thotë se vlerësimin e nxënësve e bën edhe me prani fizike. Këtë mënyrë e zbaton si thotë, atëherë kur ka dilema rreth vlerësimit të nxënësve të caktuar.

Mësimi po ndodh në mënyrë të kombinuar edhe online, por edhe me prani fizike, kur kemi raste me nxënës që kemi dyshime në notim. Sfidë më të lartë paraqesin vitet e para, sepse nuk i njohim. Është shqetësim sepse janë në fillim, nuk njihen as mes tyre dhe as me mua, sepse procesi mësimorë që dy muaj është realizuar në mënyrë elektronike”-tha Vullnet Rexhepi, profesor në Shkollën e Mesme” Cvetan Dimov”.

 

Nxënësit por edhe mësimdhënësit në vazhdimësi kanë kërkuar që vlerësimi të bëhet me prani fizike ndërsa kanë përsëritur edhe kërkesën për kthimin në shkollë, kërkesë kjo që është kundërshtuar nga Ministria e Arsimit për shkak të gjendjes me virusin korona. Sipas udhëzimit, mësimdhënësit takimet me nxënësit duhet të zgjasin nga 20 deri në 30 minuta dhe në to mund të marrin pjesë deri në 10 nxënës. Kriteret e vlerësimit dhe afatet e dorëzimit të tyre duhet t’u komunikohen qartë nxënësve dhe prindërve.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button