I nxehti përvëlues boshatis rrugët

I nxehti përvëlues boshatis rrugët

Gazetare: Melihate Rustemi

Temperaturat e larta, pothuajse kanë boshatisur rrugët. Qytetarët kanë kufizuar lëvizjet e tyre, për shkak të të nxehtit.

I nxehti përvëlues me temperatura rreth 40 gradë do të vazhdojë edhe javën që vjen kanë paralajmëruar sinoptikanët.

Me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria ka vendosur që rekomandimet për mbrojtje nga temperaturat e larta të vazhdojnë deri më 27 korrik dhe nga puna të lirohen grupet e rrezikuara të qytetarëve dhe personat mbi 60 vjeç. Pavarësisht rekomandimeve, sot në qytet kishte disa pensionistë. Thanë se shpëtim gjejnë në hijet e parqeve.

“Mirë po shkojmë po me pak vështirësi se jemi më të moshuar. Na duhet ujë por nuk ka në çdo vend. Ta humbim kohën, jam pensionist”, u shpreh një qytetar.

“Në shtëpi nuk kam kondicioner, nuk kam asgjë, më nxehtë është brenda se jashtë. Këtu ka hije, në shtëpi nuk kam hije, vetëm beton, betoni të djeg”, tha një qytetar.

“Shumë nxehtë është. Sigurisht me kondicioner. Mundohemi por nuk mund të kursejmë shumë sepse vërtetë moti është shumë i nxehtë. Kush banon në ndërtesë e di sa është nxehtë, në shtëpi është më ndryshe”, u shpreh një qytetar.

Turistët që takuam thanë se temperaturat e larta nuk janë pengesë për një shëtitje në Shkup.

“Sa më shumë lëngje, ujë. Mua nuk më pengon, jam i ri dhe i shëndetshëm”, tha një turist.

Ministria e Shëndetësisë mes tjerash ka rekomanduar që nga ora 11 deri në orën 17 të ndërpriten punimet ndërtimore në ambiente të hapura. Ministria e Shëndetësisë rikujton qytetarët se gjatë ditëve të nxehta të qëndrojnë në ambiente të mbyllura, veçanërisht në ato me kondicioner, të veshin rroba të lehta dhe me ngjyra të hapura si dhe të mbajnë syze dhe kapelë mbrojtëse gjatë ekspozimit direkt në diell.

Të konsumohen sa më shumë fruta dhe perime dhe më pak ushqim me yndyrë. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë rekomandon të konsumohet sa më shumë ujë dhe të shmangen pijet alkoolike./Alsatmk

 

LEXO EDHE:

Back to top button