Denoncime për mashtrime kompjuterike

Denoncime për mashtrime kompjuterike

Gazetare: Ajnur Bafqari

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë regjistruar 17 raste të mashtrimeve kompjuterike me kriptovalutat. Nga MPB njoftojnë se persona të panjohur, përmes rrjeteve sociale ose adresave elektronike private targetojnë përdorues të caktuar.

Mënyra e mashtrimit zakonisht është premtimi për “para të lehta”, duke u dërguar linqe ku viktimat duhet të plotësojnë disa detyra që shpërndahen në nivel ditor nga vetë shërbimi ose aplikacioni.

“Rastet e denoncuara kanë të bëjnë me mashtrime ndaj qytetarëve nga ana e personave fizik përmes zhvatjes dhe pagesës së fondeve për gjoja investim në kriptovaluta dhe pajisje kompjuterike për këtë qëllim, si dhe vjedhje e kriptovalutave nga portofolat elektronikë që i posedojnë”, MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME.

Mashtrimin e kryejnë në atë mënyrë që, në momentin që personat regjistrohen dhe i vendosin të dhënat e tyre personale, marrin një profil përdoruesi përmes së cilit mund të blejnë një paketë të caktuar në varësi të fondeve që janë të gatshëm të investojnë fillimisht përmes blerjes së paketave të abonimit në kriptovaluta. Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve dhe subjekteve juridike që të kenë kujdes.

“Departamenti i Krimeve Kompjuterike dhe Forenzikës Dixhitale apelon qytetarët dhe personat juridikë që të mos hapin lidhje të dyshimta dhe dokumente bashkëngjitur mesazheve që nuk vijnë nga dërgues të verifikuar dhe të njohur për ta. Të mos bien në mashtrime të këtij lloji, si dhe subjektet juridike të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtje të sistemeve të tyre kompjuterike”, MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME.

Qytetarëve u rekomandohet që gjithmonë të kërkojnë këshilla përpara se të japin para ose të investojnë fonde, të refuzojnë thirrjet për mundësi investimi, të informohen dhe të kërkojnë këshilla financiare të paanshme përpara se të investojnë para ndaj ofertave që premtojnë investim të sigurt, kthime të garantuara dhe fitime të larta. Gjithashtu qytetarët këshillohen që të kontaktojnë me policinë për çfarëdo rast dyshimi./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button