Iran, afër 42 mijë të vdekur si pasojë e ajrit të ndotur në vitin 2021

Iran, afër 42 mijë të vdekur si pasojë e ajrit të ndotur në vitin 2021

Afër 42 mijë njerëz kanë vdekur në Iran për shkak të ndotjes së ajrit në vitin 2021, njoftoi anëtari i komitetit të mjedisit në parlamentin e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Mbi 41.700 njerëz kanë vdekur në vend në vitin 2021 për shkak të grimcave të madhësisë prej 2,5 mikron ose më të vogla”, tha deputetja Somayeh Rafiei, duke cituar raportin e Bankës Botërore.

Duke kritikuar propozimin e fundit të Ministrisë së Industrisë, Minierave dhe Tregtisë për të reduktuar standardet e emetimeve tek disa automjete të importuara, Rafiei tha se “kostoja e ndotjes së ajrit në vend është më e lartë se sa pritej”, sipas Agjencisë së Lajmeve të Studentëve Iranianë (ISNA).

Në një seancë publike, ajo theksoi se ndotja e ajrit në vend kishte shkaktuar dëme vjetore prej 7 deri në 11 miliardë dollarë, ndërsa kostot indirekte nuk janë llogaritur ende.

Rafiei kundërshtoi edhe pranimin e propozimit të Këshillit të Ministrave pa kaluar më parë procedurat zyrtare që kërkohen, duke thënë se kjo është në kundërshtim me ligjin për ajër të pastër të vendit.

“Që nga 21 marsi, numri i ditëve jo të shëndetshme për sa i përket indeksit të cilësisë së ajrit në Teheran është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Banorët në Teheran kishin dy ditë me ajër të pastër këtë vit, ndërsa banorët e Isfahanit, Karajit, Ahwazit dhe Arakit kishin vetëm një ditë”, theksoi ajo.

Teherani vitet e fundit tregohet si një nga qytetet më të ndotura në botë, me cilësinë e dobët të ajrit që detyron mbylljen e shkollave dhe bizneseve.

LEXO EDHE:

Back to top button