Ish-kreu i Radovishit kalon filtrin parlamentar, refuzohet kandidatura e Shamil Rexhepit dhe shpërthen reagimi i opozitës
Ish-kreu i Radovishit kalon filtrin parlamentar, refuzohet kandidatura e Shamil Rexhepit dhe shpërthen reagimi i opozitës
Gazetare: Ajnur Bafqari
Me 7 vota ‘për’, 2 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend e përzgjodhi Aco Ristovin si kandidat për kreun e Komisionit Rregullator të Energjetikës.
“Komisioni e përcaktoi propozim kandidatin për emërimin e kryetarit të Komisionit Rregullatorë për Energjetikë të jetë Aco Ristov, inxhinier i diplomuar elektroteknik, në drejtimin elektroenergjetikë,” deklaroi Gjorgjija Sajkoski, Kryetar i Komisionit.
Aco Ristov ish kryetari i komunës së Radovishit, nuk ishte i vetmi i paraqitur për këtë pozicion. Kandidatura e Shamil Rexhepit, i cili është i punësuar në Komisionin Rregullator të Energjetikës, u hodh poshtë, me arsyetimin se nuk e ka shkollimin përkatës në bazë të kritereve që kërkohen. Kjo shkaktoi reagimin e opozitës.
“Fatkeqësisht kjo nuk është hera e parë që në procese të emërimeve publike krijohen situata ku lindin dyshime se kriteret po përshtaten për të favorizuar persona të caktuar, shpesh herë të lidhur me pushtetin,” u shpreh Arbana Pasholli, BDI.
“Ju vetë edhe e citoni saktë ligjin edhe e interpretoni ndryshe, sepse vetë ligji ku ju thirreni nuk bën ndarje të kushteve në mes anëtarëve të komisionit që duhet t’i plotësojnë dhe kryetarit të komisionit. Vërejtja këtu është se përse në konkursin e shpallur janë përjashtuar ekonomistë dhe juristë ndërkaq ligji për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Rregullatorë për Energjetikë parasheh që edhe juristë edhe ekonomistë, përveç të lëmive teknike, mund të jenë edhe këto dy drejtime, tha Ilire Dauti, ASH.
Komisioni Rregullator i Energjetikës, mbeti pa kryetar pas dorëheqjes së Marko Bislimovskit në shkurt të këtij viti. Këtij vendimi i kishte paraprirë një kallëzim penal ndaj Bislimovskit nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit. /Alsat.mk








