Ismaili: Figura e mësimdhënësit aq shumë u nënçmua sa nxënësit nuk duan të bëhen mësimdhënës

Ismaili: Figura e mësimdhënësit aq shumë u nënçmua sa nxënësit nuk duan të bëhen mësimdhënës

Mungesa e arsimtarëve të matematikës në vend ka alarmuar vetë arsimtarët dhe punonjësit e arsimit meqë ata thonë se situata mund të përkeqësohet edhe më shumë në të ardhmen. Mungesa e kushteve, pagat e ulëta, punësimet politike, mosligjërimi atraktiv i lëndës janë disa nga shkaqet për situatën e shkaktuar në vend, thanë në emisionin e Pasdites mësimdhënësit e ftuar.

“Në një periudhë të kaluar kohore, dinjiteti dhe integriteti i një mësimdhënësi aq shumë u nënçmua sa që më fëmiju nëse e përmend të studiojë matematikë, vetëm 2-3% thonë se do të orientohen në drejtime arsimore. Ata ndjejnë një nënçmim nëse drejtohen në këto drejtime. A mund secili nxënës të studiojë matematikë dhe shkenca? Jo.”, thekson Satki Ismaili në studion e Pasdites.

Sipas Njomza Shaqirit rrogat e mësimdhënësve në Maqedoni janë shumë më të ulëta se në rajon dhe kjo paraqet demovitim shtesë për të mos zgjedhur shkencat ekzakte. Ajo thekson se duhet përpiluar strategji afatgjate nga shteti për të motivuar nxënësit të zgjedhin këto drejtime.

“Përzierjen e politikës në arsim e tregon edhe mënyra se si kam ecur unë në karrierë, kur për shkaqe politike jam larguar nga puna edhe pse u pranova si studentja më e mirë pa arsye. Gjithsesi, kriza e përgjithshme globale e cila na ka kapur neve si shtet i varfër është shumë demotivuese për nxënësit që të studiojnë shkenca ekzakte.”, thekson Shaqiri.

Sipas Merita Tairit, realizimi i thirrjeve nga shkollat në mënyrë joprofesionale është gjithashtu shkak për gjendjen e tanishme.

“Unë mendoj se situata është alarmante sepse shohim se kërkohen arsimtarë të matematikës nëpër facebook: shënojnë prindërit, shënojnë arsimtarët e shkollave. Edhe studentët që nuk kanë mbaruar i pranojnë të japin mësim nëpër shkolla fillore për shkak se ka mungesë, dhe për disa vite mendoj se do të jetë edhe më keq se kaq”, theksoi Merita Tairi në emisionin Pasdite me Alsat.

Merita thekson se nxënësit nuk janë të informuar mjaftueshëm se çfarë mund të punojnë në të ardhmen nëse studiojnë matematikë, andaj dhe mendojnë se i kanë mundësitë e limiturara nëse zgjedhin këtë drejtim.

Ndiqni intervistën e plotë në këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=qrcQnELD8Fc

LEXO EDHE:

Back to top button