Italia dhe Zvicra po ndryshojnë kufijtë për shkak të ndryshimeve klimatike

Zvicra dhe Italia kanë rivizatuar një pjesë të kufirit të tyre në Alpe për shkak të shkrirjes së akullnajave të shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Një pjesë e kufirit do të vendoset nën Matterhorn, një nga malet më të larta në Evropë, pranë shumë vendpushimeve të njohura të skive.

Pjesë të mëdha të kufirit zvicerano-italian përcaktohen nga kreshtat akullnajore ose zona me ngrica të përhershme, por shkrirja e akullnajave kanë bërë që këta kufij natyrorë të zhvendosen, duke nxitur të dyja vendet të kërkojnë korrigjime kufitare. Zvicra miratoi zyrtarisht marrëveshjen e ndryshimit të premten, por Italia ende nuk e ka bërë këtë. Kjo vjen pas draft-marrëveshjes së komisionit të përzier zvicerano-italian të majit të vitit të kaluar.

Statistikat e publikuara shtatorin e kaluar treguan se akullnajat e Zvicrës humbën 4% të vëllimit të tyre në vitin 2023, humbja e dytë më e madhe pas shkrirjes rekorde të vitit 2022 prej 6%.

Zvicra nxjerr çdo vit një raport të monitorimit të akullnajave, i cili ia atribuon humbjet rekord verërave shumë të nxehta të njëpasnjëshme dhe shumë pak borë në vitin 2022. Studiuesit thonë se shkrirja do të përshpejtohet vetëm nëse këto kushte moti vazhdojnë.

Zvicra njoftoi të premten se kufijtë e ripërcaktuar u hartuan në përputhje me interesat ekonomike të të dyja palëve. Mendohet se ndryshimi i kufijve do të ndihmojë të dy vendet të përcaktojnë se kush është përgjegjës për ruajtjen e zonave të caktuara natyrore.

Kufijtë zvicerano-italian do të ndryshohen pranë Matterhorn dhe vendpushimeve të njohura të skive, duke përfshirë Zermatt. Ndryshimet e sakta të kufijve do të shpallen në marrëveshje kur të dyja vendet ta nënshkruajnë atë.

Zvicra thotë se Italia është në proces miratimi të nënshkrimit të marrëveshjes. Vitin e kaluar, Glamos paralajmëroi se disa akullnajat zvicerane po zvogëloheshin aq shpejt sa nuk kishte gjasa të shpëtoheshin, edhe nëse temperaturat globale do të mbaheshin brenda objektivit prej 1.5°C të marrëveshjes së Parisit për klimën.

Ekspertët thonë se pa reduktime të gazeve serrë të lidhura me ndryshimin global, akullnajat më të mëdha si Alej, që nuk është në kufi, mund të zhduken brenda një brezi. Vitet e fundit, në akullnajat zvicerane janë bërë zbulime të shumta për shkak të shkrirjes dhe tkurrjes së shpejtë të tyre.

Në korrik të vitit të kaluar, mbetjet njerëzore të gjetura pranë Matterhorn u konfirmuan se i përkisnin një alpinisti gjerman i cili u zhduk në vitin 1986.

Në vitin 2022, mbeturinat nga një aeroplan që u rrëzua në vitin 1968 dolën nga akullnaja Aletsch dhe trupi i alpinistit të zhdukur britanik Jonathan Conville u zbulua në vitin 2014 nga një pilot helikopteri i cili vuri re diçka të pazakontë ndërsa dërgonte furnizime në një shtëpizë malore në Matterhorn.

LEXO EDHE:

Back to top button