Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbyen zjarr, ndërsa konflikti me Iranin zgjerohet
Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbyen zjarr, ndërsa konflikti me Iranin zgjerohet
Lufta e SHBA-ve dhe e Izraelit kundër Iranit ka hyrë në ditën e tretë, ndërsa konflikti është përhapur gjatë natës edhe në Liban. Izraeli dhe Hezbollah shkëmbyen zjarr, me shpërthime të raportuara në jug të Bejrutit. Ministria libaneze e Shëndetësisë njofton se sulmet izraelite në Bejrut dhe në jug të Libanit kanë vrarë të paktën 31 persona dhe kanë plagosur 149 të tjerë. Ndërkohë, raportohet për shpërthime në Bahrein dhe Dubai, si dhe pranë ambasadës amerikane në Kuvajt.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se kanë vrarë zëvendësministrin e inteligjencës së Iranit për çështjet e Izraelit, Sayed Yahya Hamidi. Jalal Pour Hossein, udhëheqës i divizionit të spiunazhit në Ministrinë e Inteligjencës, u vra gjithashtu, së bashku me “zyrtarë të tjerë të regjimit”, thuhet në njoftim.
Fotografitë e publikuara, tregojnë dëme të konsiderueshme në bazat e raketave, radarët dhe objektet për avionë në Iran, pas një vale sulmesh ajrore të koordinuara nga SHBA-ja dhe Izraeli. Disa fotografi tregojnë edhe kompleksin në Teheran të liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në një sulm më 28 shkurt.
Organizata iraniane Gjysmëhëna e Kuqe njoftoi se 555 persona janë vrarë në sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Sipas raportit të saj, 131 qytete janë përfshirë nga sulmet që nga dita e parë e tyre më 28 shkurt. Gjysmëhëna e Kuqe shtoi se operacionet e shpëtimit, ndihmës, transportit dhe shërbimeve mjekësore janë duke vazhduar.
Uashingtoni ka njoftuar se një tjetër ushtar amerikan ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmeve të Iranit. Ky është rasti i katërt që një ushtar amerikan humb jetën në përplasjet e fundit. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit njoftoi se disa avionë ushtarakë amerikanë u rrëzuan në territorin e këtij vendi, por se pilotët dhe ekuipazhet shpëtuan. Ndërkohë 15 avionë amerikanë kanë lënë bazat ushtarake të Rota-s dhe Moron-it në jug të Spanjës. Ministri i Jashtëm, Jose Manuel Albares, tha se Spanja nuk do të lejojë që bazat e saj ushtarake, të cilat operohen së bashku nga SHBA dhe Spanja por janë nën sovranitetin spanjoll, të përdoren për sulme ndaj Iranit.








