Ja sa pritet të ulet inflacioni vitin e ardhshëm

Ja sa pritet të ulet inflacioni vitin e ardhshëm

Gazetar: Adnan Qaili

Inflacioni pritet të kthehet në normën mesatare 2,5% vitin e ardhshëm, sipas parashikimeve të autoriteteve, shkruan Alsat.

Nga Qeveria edhe për sivjet proklamuan normën mesatare nën 6%, derisa doli me qëndrim zyrtar Banka Qendrore duke zbuluar se norma mesatare për vitin 2023 po mbyllet me 9,5%. Sipas tyre, 2024 është viti ku pritet të mbyllen të gjitha mangësitë që u krijuan nga kriza e pandemisë, kriza e luftës në Ukrainë dhe kriza financiare-energjetike.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, tha se vitin që po vjen pritet të normalizohet edhe inflacioni që shkaktoi turbulenca në të gjitha çmimet.

“Të dhënat e fundit tregojnë se tani më trendi i zvogëlimit të inflacionit na kthen aty ku kemi qenë, ne presim që vitin e ardhshëm inflacioni mesatar të sillet ndërmjet 2 dhe 2,5% aq sa pritet të jetë edhe rritja vjetore e Bruto Prodhimit Vendor. Pavarësisht që vitin 2024 kemi dy palë procese zgjedhore, presidenciale dhe parlamentare, vlerësoj se duhet t’i shfrytëzojmë me kujdes muajt që i kemi në dispozicion, që të mos bëjmë ndikim negativ ndaj ekonomisë dhe të kthejmë jetën reale të qytetarëve në kornizat e normalitetit”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Por, analistët thonë se ulje me presion të inflacionit po bëhet në kurriz të sektorit privat, gjegjësisht në industrinë ushqimore duke mbajtur të ngrira çmimet e produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike.

Profesori Visar Ademi tha se duhet të ndërmerren masa në plan afatgjatë për stimulim të prodhuesve vendor, duke ulur ndikimin e importit nga jashtë.

Ai shprehet kategorikisht kundër ndërhyrjes së shtetit në ekonominë e lirë të tregut, duke parashikuar pas shkrirjes së masave mund të katapultojnë çmimet.

“Ne nuk jemi Koreja e Veriut, ne nuk jemi shtet i cili ka ekonomi të planifikuar, ne kemi ekonomi tregu dhe në këtë kontekst fuqia e ofertës dhe kërkesës është ajo, e cila e përcakton çmimin e një produkti dhe në fund blerjen e një produkti. Në qoftë se do të kufizohen këto lloj artikujsh, ne do të duhet atëherë të gjejmë mënyrat alternative për blerjen e të njëjtave, por e them sërish nuk duhet të jetë shteti, ai i cili përcakton këto politika sepse kjo bie në kundërshtim me ekonominë e lirë dhe zhvillimin e sipërmarrësisë të sektori privat, me fuqizimin e rolit dhe ndërhyrjes së shtetit në ekonomi”, u shpreh Visar Ademi, Analist.

Tri javë para se të mbyllet ky vit, qeveria akoma nuk ka marr një draft-ligj nga Ministria e Ekonomisë për tregtinë jo korrekte, të cilët u zotuan se deri në fund të vitit do të merrte dritë jeshile.

Në presion të kohës, kur edhe masat për çmime të garantuara skadojnë më 31 dhjetor, autoritetet kanë paralajmëruar që edhe në janar të vazhdohen këto masa meqë nuk arritën të qojnë në Kuvend propozim-ligjin për parandalimin e tregtisë jo korrekte, i cili do të kufizoj marzhën e fitimit në 10% të produkteve të shportës.

Përderisa nga Oda Ekonomike thonë se me ngrirje të çmimeve po dëmtohen bizneset private, autoritetet thonë se nga këto masa qytetarët po kursejnë nga 1 mijë denarë në muaj. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button