“Jurisprudenca”, ministria u përgjigjet negativisht studentëve shqiptarë: S’mund të bëhesh gjyqtar pa njohjen e maqedonishtes
“Jurisprudenca”, ministria u përgjigjet negativisht studentëve shqiptarë: S’mund të bëhesh gjyqtar pa njohjen e maqedonishtes
Gazetar: Suad Bajrami
Ministria e Drejtësisë iu përgjigj negativisht peticionit të 385 studentëve shqiptarë të cilët kërkuan që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe. Arsyetimi i Ministrisë është se nëpërmjet provimit, verifikohet edhe njohja e gjuhës maqedonas e cila është kusht për t’u bërë gjykatës, prokuror, avokat, noter dhe përmbarues.
“Provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për të hyrë në profesione të ndryshme në sistemin e gjyqësorit… Njohja aktive e gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik si gjuhë zyrtare është e domosdoshme nga gjyqtarët, prokurorët publikë, avokatët, veçanërisht noterët dhe përmbaruesit, si persona me autorizime publike që zhvillojnë procedura përkatëse”, thonë nga Ministria e Drejtësisë..
BDI-ja opozitare interpretimet ligjore nga ana e Ministrisë së Drejtësisë i quan selektive.
“Arsyetimet e dhëna nga Ministria, të mbështetura në interpretime selektive të ligjeve dhe në hierarki të njëanshme ligjore, janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe me standardet evropiane të barazisë dhe mosdiskriminimit”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Megjithatë, në mbi dy dekada në pushtet, BDI është përfaqësuar në qeveri me 6 ministra të Drejtësisë shqiptarë duke filluar nga Ixhet Memeti, Ismail Dardhishta, Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi, Bilen Sali, megjithatë këtë çështje nuk e zgjidhën. Gjithashtu, detyrën e ministrit të Drejtësisë e kanë ushtruar edhe Xhevdet Nasufi nga PDSH dhe Krenar Lloga nga ASH, i cili përgatiti propozim-ligj, por i njëjti nuk u votua. Ndërkohë nga Koalicioni VLEN thonë se janë duke punuar për ta bërë provimin e jurisprudencës edhe në shqip.
“Ne jemi në bisedime në kuadër të qeverisë që edhe këtë çështje si shumë çështje tjera t’i zgjidhim. Poashtu edhe këtu nuk është që ne bëjmë zhurmë apo bujë të madhe në opinion, por ajo që mund të garantojmë është se kjo do të zgjidhet në interes të studentëve”, deklaroi Bilall Kasami, VLEN.
Për çështjen, studentët kanë paralajmëruar se do të dërgojnë ankesa në Zyrën e OSBE-së në Shkup dhe në Këshillin e Evropës në Strasburg. /Alsat.mk








