Kandidatët e VLEN-it dhe AKI-së për Tetovën premtojnë zgjidhjen e problemit me parkingun në Kodrën e Diellit
Kandidatët e VLEN-it dhe AKI-së për Tetovën premtojnë zgjidhjen e problemit me parkingun në Kodrën e Diellit
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Tetovës Bilall Kasami ka premtuar se me ndërtimin e qarkores në lagjen e vikend shtëpizave në gjatësi prej katër kilometrave, do të zgjidh problemin e me mungesën e vendeve për parkim në Kodrën e Diellit. Ai paralajmëron edhe tre lokacione të tjera ku parashikohet hapja e rreth 500 vendeve për parkim në Kodër të Diellit.
“Ajo që është veçmë në realizim e sipër, është depërtimi i qarkores përskaj vikend shtëpizave që është një trase rruge rreth katër kilometrash dhe në bazë të kalkulimeve tona, duke llogaritur që kjo rrugë bashkë me atë ekzistuese gjatë dimrit do funksionojë si rrugë një kahëshe dhe njëra trase e rrugës do jetë për parkim, pra do krijohen diku rreth 500 vende parkimi. Me kushtet ekzistuese në bazë të planit urbanistik për Kodrën e Diellit janë identifikuar edhe tre lokacione të tjera të cilat me parkim të hapur apo mundësi të ndërtimit të parkingjeve në kate, parashihen diku rreth 500 vend parkime. Pra bëhet fjalë për diku krijimin e një mijë vend parkimeve të reja, që do zbusin ndjeshëm problemin me parkimin në sezonin e dimrit”, tha Bilall Kasami, Kandidat për kryetar i VLEN.
Kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Tetovës Bajram Rexhepi ndërkaq premton ndërtimin e parkingjeve në kate, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të turistëve.
“Pasi që udhëheqësia aktuale nuk ka asnjë veprim të vetëm që të përmirësojë infrastrukturën e parkingjeve në Kodrën e Diellit dhe të lehtësojë parkingjet për vizitorët gjatë sezonit dimëror, pra nuk ka ndonjë zgjidhje të shpejtë për këtë sezon, por ne planifikojmë që të organizojmë transport prej qyteti deri lartë që do jetë transport i organizuar për vizitorët, ndërsa vitet në vazhdim, do të ndërtohen disa garazhe në kate që do të ketë kapacitet të mjaftueshëm, që sidomos, gjatë vikendeve të ketë vend për parkim për vizitorët që do jenë lartë në Kodrën e Diellit”, deklaroi Bajram Rexhepi, Kandidat i AKI për Tetovën.
Prej më shumëse dy dekada, sezoni dimëror në Kodrën e Diellit bën që rruga të bllokohet si pasojë e mungesës së parkingjeve për turistët, e që nga viti në vit, vetëm se po shënon rritje numri i vizitorëve të kësaj pike turistike. /Alsat.mk









