Kaos nëpër qendrat e kontrollit teknik – U tha se shërbimi do të jetë falas, por qytetarët ende paguajnë!

Kaos nëpër qendrat e kontrollit teknik – U tha se shërbimi do të jetë falas, por qytetarët ende paguajnë!

Gazetar: Adnan Qaili

Në qendrat e kontrollit teknik vërehen ende radhë të gjata të qytetarëve. Ata janë të detyruar të ndërrojnë lejet e qarkullimit të automjeteve por edhe ti vendosin ngjitësit NMK në targat e makinave. Por, asgjë nuk është falas!

Disa shprehen të revoltuar sepse ndryshimet ligjore që u miratuan në Kuvend, iu mundësojnë qytetarëve këtë shërbim pa pagesë. Por në pikat e kontrolleve teknike thonë se akoma nuk kanë marrë shkresën zyrtare për këto ndryshime duke shfrytëzuar rastin të përfitojnë në këtë vakum.

“Edhe pse me ndryshimet e fundit ligjore, qytetarët nuk janë të detyruar të paguajnë për ndërrimin e lejeve të qarkullimit me emrin e ri të shtetit, në ditën e tretë pas hyrjes në fuqi të këtij ndryshimi ligjor qytetarët akoma paguajnë mbi 1 mijë denarë për ndryshimin e vetëm të këtij dokumenti”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

“A e dini se me ndryshimet ligjore është pa pagesë ndërrimi i lejeve të qarkullimit? Nuk e paskam ditur që është pa pagesë! A në rastet kur të jetë mbushur ekzemplari, e paguajmë apo shkon sërish pa pagesë!?”, tha një qytetar.

“Me kartelë pagova diçka! A e dini që është pa pagesë? Patjetër të marrin diçka! Shikoni, shumë punë nuk janë në rregull, me vet faktin se dihej prej kohësh është dashur që para 3-4 viteve të filloj me herët”, u shpreh një qytetar tjetër.

Ngjitësit e targave NMK, nëpër kontrollet teknike po shiten nga 50 denarë, kurse në internet në mënyrë ilegale shiten edhe me ofertë blenë një dhe tjetrën ke falas. As origjinali nuk ka ndonjë kod identifikues dhe qytetarët nuk është se mund ta dallojnë nga kopjet false.

“Vetëm për ngjitësin e targave NMK kam ardhur sepse verës i kam ndryshuar të gjitha, normalisht në gusht i kam nxjerr ët gjitha dokumentet”, theksoi një qytetar.

“Të gjitha i kam ndërruar, pasaportën, letërnjoftimin por i kam paguar. A është në rregull me këto shpenzime? Jo nuk është në rregull, kur je i detyruar duhet të jetë pa pagesë, mua më vlenin dokumentet deri në 2030, të gjitha vlenin por i nxora shkaku ndryshimeve”, u shpreh një qytetar.

“Erdha ti ndërroj sepse nuk do të jemi në gjendje të dalim jashtë shtetit nëse nuk i kemi me emrin zyrtarë! A është në rregull që qytetarët të paguajnë për këtë? Nuk e di, mendoj se nuk duhet të paguajmë sepse ne vetëm se kemi paguar për regjistrimin dhe këto gjërat tjera në prill të vitit të kaluar”, theksoi një qytetar.

Qeveria pranon se qytetarëve që tashmë kanë marrë dokumente me shpenzimet u është bërë padrejtësi dhe kërkojnë të gjejnë një mënyrë për t’i kompensuar të njëjtit. Por, pas hyrjes së vendimit në fuqi nga 12 shkurti, inspektoratet nuk kujdesen për të gjobitur kontrollet teknike që iu marrin qytetarëve para për kryerjen e këtyre shërbimeve.

Përndryshe, të hënën Kuvendi ndryshoi ligjin me të cilin patentat e shoferit me emrin e vjetër të shtetit do të vlejnë deri në vitin e ri, por vetëm për përdorim të brendshëm. Me leje dhe letërnjoftim të vjetër po lejohen qarkullimi vetëm në vendet e rajonit, siç është Kosova, Shqipëria dhe Serbia, ndërsa shtetet e BE-së nuk pranojnë pa mbiemrin “Veriu”./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button