Keqpërdorimet në Qendrën Klinike, a do të ketë përgjegjësi penale për drejtorët?

Keqpërdorimet në Qendrën Klinike, a do të ketë përgjegjësi penale për drejtorët?

Gazetar: Adnan Qaili

Lidhur me skandalin e terapive të kancerit në Klinikën e Onkologjisë, opinioni mbetet në pritje nëse do të ketë përgjegjësi penale për këtë rast. Por në fakt, a mjafton shkarkimi vetëm i drejtorit, kur pohimet e mbledhura nga pacientët dhe të punësuarit në klinikë hedhin dyshime se ekziston një rrjet i organizuar për shitjen në të zezë të terapive të shtrenjta kundër kancerit. Autoritetet shëndetësore thonë se atë që kishin përgjegjësi e zbatuan duke i hedhur topin prokurorisë të vazhdoj me procedurën e mëtutjeshme në rast të gjetjes së keqpërdorimeve eventuale penale. Alsat posedon dëshmi për keqpërdorime edhe në tri klinikat tjera, të cilat do të publikohen në rast se vazhdon të vonohet raporti i autoriteteve.

“Për Prokurorinë Themelore Publike zërat në opinion nuk janë të mjaftueshëm për të reaguar pas shkarkimit të drejtorit të Onkologjisë dhe drejtoreshës së Pediatrisë për keqpërdorimet eventuale të pozitave të tyre udhëheqëse. Nga organi akuzës thonë se janë në pritje të raportit revizor të Ministrisë së Shëndetësisë për të shqyrtuar nëse ka bazë për të hapur procedurë para hetimore”, raportoi Adnan Qaili, gazetar i Alsat.

Dy dorëheqje dhe një shkarkim janë masat fillestare të autoriteteve shëndetësore ndaj gjetjeve të parregullsive të udhëheqësve të klinikave. Por këto masa u ndërmorën vetëm pas raportimeve në media për dyshime në Klinikën e Onkologjisë po vdesin pacientët nga kanceri sepse dikush po shet terapitë e shtrenjta. Me kërkesë të Ministrit së Shëndetësisë dorëheqjen e nënshkruan drejtori medicinal i Onkologjiës Nikolla Vasev dhe në vend të tij u emërua si ushtruese e detyrës për 6 muaj, njëra nga Specialistja e klinikës, Violeta Klisarova. Por nga Ministria nuk japin më shumë detaje për cilët drejtor tjerë nga 12 klinikat kanë gjetur keqpërdorime. Dy i zbuluan gazetarët, për 10 presim t’i nxjerrin institucionet.

“Ministria e Shëndetësisë në disa raste ka kumtuar se këto inspektime do të bëhen në të gjitha institucionet publike shëndetësore dhe për aq kohë sa do të zgjasë inspektimi nuk do të ketë raportime të herëpashershme, por mund të ketë raportime për gjendjen e konstatuar plotësisht. E gjithë kjo është pjesë e transparenca së punës në institucionet shëndetësore publike”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Gjithashtu, dorëheqjen e ka dorëzuar dje drejtoresha e Pediatrisë Aspazija Sofianova dhe në vend të saj tani është emëruar drejtoreshë e re e Klinikës për sëmundjet e fëmijëve Stojka Naceva Fushtiq. Por, në këtë klinikë nga detyra e drejtorit organizativ dje u shkarkua Alajdin Memedi, kjo, siç thuhet, për shkak të parregullsive që janë konstatuar në raportin e hartuar pas kontrollit të punës së kësaj klinike nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Dy drejtorët medicinal të shkarkuar do të vazhdojnë të punojnë në klinikat përkatëse si doktor, kjo pasi që licencat e tyre të punës janë akoma të pacenueshme. Në fakt ish-drejtori i Onkologjisë, Nikolla Vasev do të vazhdoj të ekzaminoj pacientët me kancerin në gji, ndërkaq ish-drejtoresha e Pediatrisë, Aspazija Sofijanova do të vazhdoj të trajtoj fëmijët e sëmurë në klinikë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button