Kolona të gjata të makinave për hyrje në Kodrën e Diellit, vazhdon kaosi me parkingun
Kolona të gjata të makinave për hyrje në Kodrën e Diellit, vazhdon kaosi me parkingun
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Rruga për në Kodrën e Diellit, edhe sot në njërën anë rezultoi e papastruar. Nga ndërmarrja e “Rrugëve” thonë se dje është pastruar në tërësi, por gjendja në terren në njërën anë të rrugës është ndryshe.
Ndërkohë edhe sot kishte kolona të gjata për hyrje në Kodrën e Diellit. Edhe pse policia ishte në rrugë, megjithatë një pjesë e vozitësve të pandërgjegjshëm, nuk nguronin të lënë makinat në rrugë dhe të shkaktojnë bllokadë. Drejtori i Kodrës së Diellit Gani Aljiji për Alsat tha se shumica e makinave që kanë bllokuar rrugën, janë lënë aty gjatë natës.
“Jemi në koordinim edhe me policinë, por ka problem me vizitorët që vijnë dhe lënë makinën natën vonë dhe zënë rrugën ndërsa është vështirë ti gjesh pronarët”, tha Gani Aliji, drejtor i Kodrës së Diellit.
Ndërkohë rruga për te vikend shtëpizat, e cila është në kompetencë të komunës vazhdon të jetë e papastruar. Makinat që tentonin të ngjiteshin në këtë rrugë nuk ia dilnin dot. Nga komuna e Tetovës arsyetohen me reshjet e vazhdueshme të borës.
“Gjatë ditëve që ka pasur reshje të borës kompania që është e angazhuar për mirëmbajtjen e rrugëve ka qenë në terren dhe ka pasur vështirësi në kalim, por ka qenë e pamundur që rrugët të jenë të pastra”, tha Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës
Ndër vite premtohet përmirësimi i infrastrukturës në Kodrën e Diellit, sidomos për shtimin e vendparkimeve, që është ndër problemet kryesore, por hapa konkretë në terren nuk ka. /Alsat.mk







