Kompanitë, 1 javë afat për kthimin e depozitave
Kompanitë, 1 javë afat për kthimin e depozitave
Gazetare: Ajnur Bafqari
Një javë ose 10 ditë do t’i jepet afat kompanive të bixhozit online t’i njoftojnë qytetarët për kthimin e depozitave të tyre. Më pas do të fillon monitorimi i zbatimit të vendimit të Qeverisë për abrogimin e licencave dhe ndërprerjen e veprimtarisë së tyre në industri të bixhozit. Platforma “Megawin.mk” që është 100 për qind në pronësi të shtetit, do të jetë e hapur derisa Qeveria të sjell një vendim tjetër. Edhe për mbylljen e saj ka procedurë.
“Megawin është 100 për qind shtetërore, por ka procedurë tjetër dhe në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, pra të martën do të mbyllet edhe ajo dhe të gjitha kazinotë online në Maqedoni të Veriut do të jenë jashtë funksionit”, deklaroi Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër.
Pas marrjes së licencave që sipas Qeverisë janë dhënë në mënyrë jo ligjore, Ministria e Brendshme, Policia Financiare dhe Prokuroria e krimit të organizuar do të nis hetimet për mënyrën se si janë dhënë ato licenca dhe me ndikimin e kujt.
“MPB-ja, Policia Financiare dhe institucionet tjera do të punojnë dhe angazhohen në drejtim të vërtetimit të saj se si janë dhënë ato licenca, pse janë dhënë etj”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Video Lotaria e Re Shtetërore, NOVO VLT do të mbyllet, ndërsa aparatet që posedon do të mbeten jashtë funksioni. Të njëjtat nuk i hyjnë në funksion Lotarisë Shtetërore dhe për këtë arsye duhet kthehen nga ku janë blerë apo të shiten në një treg tjetër. Në rast se konstatohet dëm në buxhet të shtetit si pasojë e këtij prokurimi, do të ketë përgjegjësi penale.
Ndërkohë platforma e Video Lotarisë Shtetërore- Kazinos Austria “2win.mk” obligohet t’i përshtatet vendimit të Qeverisë. Në këtë platformë ndodhen pjesa e madhe e depozitave të qytetarëve apo rreth 60 mijë prej tyre. Pas kthimit të depozitave, Lotaria Shtetërore në përputhje me vendimin e Qeverisë do t’i abrogon shoqëritë aksionare të formuara për organizimin e lojërave të fatit online, përkatësisht shoqëritë të cilave iu morën licencat: MOZZART, VEZUV dhe 77BITS. / alsat.mk