Konjufca si u.d. president kërkon nga VV mandatarin për kryeministër

Me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

“Unë zotohem që do ta kryej detyrën time me nderë, përgjegjësi e përkushtim. Për mua do të ketë vetëm deputetë të barabartë të popullit të Kosovës”, tha Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Në seancën Konstituive të cilën e drejtoi Avni Dehari nga Kumanova, u zgjodhën edhe nënkryetarët e Kuvendit Saranda Bogujevcin nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamzën nga PDK dhe Kujtim Shalën nga LDK, Sllavko Simiqin nga komuniteti serb dhe Bekim Arifin nga komunitetet joserbe.

Me zgjedhjen në krye të kuvendit, Konjufca mori edhe postin e ushtruesit të detyrës së presidentit. Nga kjo pozitë, Konjufca i ka kërkuar Vetëvendosjes që të propozojë mandatarin për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Albin Kurti, i cili pritet të udhëheqë ekzekutivin e ri, ka deklaruar se qeverinë do ta formojë me partitë e komuniteteve joserbe.

“Shpresojmë në më të mirën edhe gjasat i kemi shumë të mira”, tha Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, akoma nuk dihet fati i presidentit të shtetit, për të cilin post Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin. Kjo e fundit bashkë me Kurtin javën e kaluar kanë mbajtur takime konsultative me të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare, duke iu kërkuar atyre edhe votën për presidentin e ri.

PDK-ja ka thënë se nuk do ta votojë Osmanin për presidente, pasi e ka konsideruar atë si figurë “përçarëse”.

“Për neve zonja Osmani nuk është faktor unifikues për qytetarët e Kosovës, është faktor përçarës për qytetarët e Kosovës, nuk e përbashkon skenën politike, e ka përçarë skenën politike, nuk është faktor i pajtimit, është faktor i agresivitetit në sallën e tij politike”, pohoi Enver Hoxhaj, u.d.kryetar i PDK-së.

AAK-ja e Ramush Haradinajt ka hequr dorë nga posti i presidentit duke thënë se i takon Osmanit dhe Kurtit që t’i bëjnë votat për ta zgjedhur kreun e shtetit. LDK-ja ende nuk e ka bërë të qartë se si do të veprojë për zgjedhjen e presidentit. Partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur mbështetjen e tyre për Osmanin.

Sipas Kushtetutës, që një person të zgjidhet president i Kosovës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votat të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.

 

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button