Konkursi për konviktet: Çmimet varen nga kushtet, ashpërsohen masat për keqpërdorimet

Gazetare: Melihate Rustemi

Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë ka shpallur konkursin për akomodimin e studentëve në konviktet shtetërore dhe private për vitin akademik 2026/2027. Të drejtë konkurrimi kanë studentët e viteve të dyta e më lart, ndërsa ata të vitit të parë do të mund të aplikojnë nga mesi i shtatorit. Sipas dikasterit të Arsimit, ky vit akademik i pret studentët me çmime të reja. Konviktet që janë rikonstruuar dhe plotësojnë standardet e efikasitetit energjetik kalojnë në “Tipin 1” apo Kategorinë A. Në këto konvikte, ku çmimi real është 11.000 denarë, shteti do të mbulojë vetëm 40% të shumës ndërsa studentët do të duhet të paguajnë nga xhepi i tyre 6.600 denarë në muaj.

“Konvikti “Goce Dellçev” mbetet në kategorinë B, pasi nuk është rinovuar në kuadër të këtij projekti. Atje do të vazhdojë të zbatohet sistemi i deritanishëm: 50% të kostos e paguan studenti, ndërsa 50% e paguan Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Tani, në konkurs, studentët do të aplikojnë për konviktin ku janë të interesuar të akomodohen. Zakonisht, ata zgjedhin atë që është më afër fakultetit ku studiojnë. Kanë të drejtën e zgjedhjes, por është e mundur që për disa konvikte të ketë interesim më të madh. Do të shohim se si do të zhvillohet procesi”, tha Alkesandаr Karovski, drejtor I Konviktit Shtetëror të Studentëve Shkup.

Drejtori i Konviktit Shtetëror të Studentëve – Shkup, Aleksandar Karovski, gjithashtu mbështet masat e reja mbrojtëse që parashihen në Ligjin për Standardin Studentor. Studentët mbi moshën 30-vjeçare nuk do të kenë më të drejtë të aplikojnë për akomodim në konviktet shtetërore, ndërsa ata që shkelin rëndë rregullat e brendshme do të përballen me ndalim të akomodimit deri në pesë vjet.

“Mendoj se kjo është në rregull dhe e mbështes, sepse ka pasur keqpërdorime me rishitjen e vendeve në dhoma, ndërsa dënimet ishin shumë të lehta, vetëm një vit ndalim dhe studentët nuk frikësoheshin shumë nga këto masa. E përshëndes vendosjen e ndalimit pesëvjeçar, i cili tani do të vlejë për të gjitha konviktet. Gjithashtu e përshëndes edhe vendosjen e kufirit të moshës, sepse kishte raste keqpërdorimi, disa persona regjistroheshin çdo vit në një fakultet tjetër vetëm për të përfituar nga privilegjet dhe për të siguruar akomodim në konviktet studentore”, theksoi Alkesandаr Karovski, drejtor Konviktit Shtetëror të Studentëve Shkup

Sipas konkursit, përparësi akomodimi do të kenë kategoritë e ndjeshme sociale, studentët pa prindër, ata me nevoja të veçanta, si dhe studentët me sukses të lartë, të cilët përbëjnë 25 për qind të kuotës së përgjithshme. Lista e parë e studentëve të pranuar për vitet më të larta pritet të publikohet më së voni deri më 14 shtator, pas së cilës do të hapet afati i ankesave prej 10 ditësh direkt nëpër konviktet përkatëse./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button