Kontrolli nëpër familje, Spasovski: Ruajmë shëndetin pa cenuar privatësinë

Një nga masat e reja anti-CoVid parashikon kontrolle nëpër shtëpi në raste se ka denoncime se në atë adresë ka më tepër se 4 mysafirë. Por, për t’i trokitur policia dikujt në derë duhet të ketë edhe një vendim të gjykatës. Përndryshe, çdo veprim tjetër e frenon Neni 26 i Kushtetutës së RMV-së.

“Paprekshmëria e shtëpisë është e garantuar. E drejta për paprekshmëri të shtëpisë mund të kufizohet vetëm me vendim të gjykatës kur bëhet fjalë për zbulimin ose parandalimin e krimit ose mbrojtjen e shëndetit të njeriut”, thuhet në Nenin 26 të Kushtetutës së RMV-së.

Për zbatimin e këtyre masave, Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski tha se çdo veprim i policisë do të jetë konform ligjit por edhe mbrojtjes së shëndetit publik. Ai vuri theksin se nuk do të cenohet privatësia e askujt nëpër familje.

“Sot nuk dua të flas në bazë të supozimeve, nëse fillojmë me hamendje do të hapen 1001 tema në opinion se çfarë do të bëhet nëse ashtu do bëhet. Le të presim të kryhet seanca e Qeverisë, do të merren vendimet dhe në atë mënyrë do të njoftojmë të gjitha mekanizmat se si do të jetë kontrolli dhe mbikëqyrja për zbatimin e këtyre vendimeve”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Qytetarët, thonë se për të mos arritur tek masat restriktive duhet të rritet vetëdija e shoqërisë. Ka prej tyre që thonë se dënimi më i madh do të jetë nëse humbasin ndonjë familjar nga virusi korona.

“Unë mendoj se nuk preferohet të shkoj policia shtëpi më shtëpi, megjithatë populli duhet të jetë i vetëdijshëm që të mos tubohen sepse dikush edhe mund të denoncoj”.

“Nëse nikoqiri nuk është i vetëdijshëm ai do të mbledh 1 mijë miq, nëse ka vetëdije nuk do të thërras asnjë. Tani të gjithë kemi fëmijë nga një herë t vijnë por jo çdo ditë të vijnë përnjëherësh”.

“Si të thotë Komisioni dhe që e vërteton Qeveria, këtë ata e dinë. Ne qytetarët nuk e dimë, duhet të respektohen të gjitha vendimet që të mposhtet pandemia”.

“E po në fund të fundit nuk jetohet vetëm. Ta them të drejtën unë jetoj e vetme por duhen mysafirë në disa momente që të çmalli shpirtin”.

Për propozimet e masave të reja, reagime të shumta pati si nga qytetarët ashtu edhe nga opozita. Subjektet politike jashtë ekzekutivit e vënë në dilemë kushtetutshmërinë e disa prej masave. Përderisa të miratohen propozimet e KSI si preventive e valës së re të pandemisë, bartja e maskave edhe në hapësira të jashtme u bë virale në rrjetet sociale nga porosia e Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili shkruan se deshëm apo s’deshëm, kjo është mënyra e re e të jetuarit.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button