“Pa ndryshime kushtetuese, nuk ka vazhdim të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut” – kjo është porosia e komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë për Televizionin Kombëtar Bullgar.
Kos i dërgoi mesazh edhe qeverisë bullgare, duke kërkuar që pasi Maqedonia e Veriut të realizojë ndryshimet kushtetuese, Bullgaria ta mbështesë vendin në mënyrë që procesi të vazhdojë.
Marta Kos, komisionere evropiane për Zgjerim: “Do të isha shumë e lumtur nëse do ta shfrytëzonim këtë moment të zgjerimit edhe për Maqedoninë e Veriut. Kam besim te qeveria e re bullgare, me të cilën bashkëpunoj shumë mirë. Së bashku do të gjejmë mënyrën për ta çuar procesin përpara me Maqedoninë e Veriut. Natyrisht, qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë premtimin e saj. Ajo duhet ta ndryshojë Kushtetutën, gjë që ishte dakorduar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Pasi kjo të realizohet, do të llogaris në mbështetjen e vendit tuaj që të vazhdojmë përpara edhe me Maqedoninë e Veriut.”
Sipas një pjese të ekspertëve, mesazhi i Kos është i qartë – ndryshimet kushtetuese mbeten kusht nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të vazhdojë rrugën drejt BE-së.
Dimitar Nikollovski, Eurothink: “Ky është definitivisht një qëndrim i betonuar, i përsëritur shumë herë. Ishte interesante edhe deklarata e ambasadorit Rokas para disa ditësh se vizita e Von der Leyen do të sjellë diçka të re. Nëse kjo diçka e re do të jetë në formën e udhërrëfyesve apo garancive, nuk e dimë, por definitivisht ndryshimi i Kushtetutës është këtu dhe është e sigurt se do të duhet të ndodhë nëse duam të vazhdojmë rrugën evropiane.”
Ndërsa Maqedonia e Veriut ende kërkon formulë për zhbllokimin e negociatave, Evropa po hap derën që Kanadaja të bëhet anëtare e parë e asociuar e BE-së – një propozim historik që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare.
Kryeministri kanadez Mark Carney e përshëndeti idenë, duke vlerësuar se Kanadaja dhe BE-ja janë “më të forta së bashku”.
Mark Carney: “Kanadaja e mirëpret këtë ambicie dhe mund t’ju them se sondazhet tregojnë se një shumicë dërrmuese e kanadezëve mbështesin lidhje shumë më të ngushta me Evropën”, deklaroi ai para Parlamentit Evropian në Strasburg.
Shembulli me Kanadanë hap pyetjen nëse ky model mund të jetë në të ardhmen një opsion edhe për Maqedoninë e Veriut, nëse vendi mbetet i bllokuar në rrugën evropiane.
Nikollovski thekson se Kanadaja dhe Maqedonia e Veriut nuk janë në të njëjtën pozitë, pasi Kanadaja nuk është vend kandidat dhe nuk kërkon anëtarësim të plotë. Megjithatë, sipas tij, kjo tregon se BE-ja po bëhet më fleksibile sa i përket formave të anëtarësimit.
Në lidhje me udhërrëfyesit e rinj për vendet kandidate më të avancuara, Nikollovski vlerëson se zgjerimi po shkon gjithnjë e më shumë drejt diferencimit. Sipas tij, vendet që përparojnë në negociata po marrin perspektivë më të qartë dhe kornizë kohore, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar./Alsat.mk








