Kosova prezanton masat e reja kundër Covid-19, orë policore në disa komuna

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar të mërkurën masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Këto masa pritet të shkojnë për miratim në qeverinë e Kosovës dhe të hyjnë në fuqi të premten në ora 19:00.

Masat e prezantuara nga kryeministri do të ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Zona e kuqe – rrezik i lartë

Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000. Këtu janë shtatë komuna Prishtinë, Podujeva, Ferizaj, Gjakova, Gjilani, Peja dhe disa komuna të tjera.

Në këto komuna, kryeministri tha se i kanë marrë dy veprime: Nga ora 19 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, do të ketë orë policore në këto komuna dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në 05 në mëngjes.

Zona e verdhë – rrezik mesatar

Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 149 persona të infektuar në 100.000 banorë. Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00.

Zona e gjelbër – rrezik i ulët

Në këtë zonë hyjnë komunat me rrezik të ulët të infeksionit, që kanë 1 deri në 75 persona të infektuar në 100.000 banorë.

Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.

Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.

Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se komfor masave të reja, do të kthehen ekipet mjekësore në kufijtë e vendit, derisa mësimi në arsimin e lartë do të mbahet online.

“Kemi vendosur që t’i kthejmë ekipet mjekësore në pikat kufitare. Kemi kërkuar nga komunat që ti ngrisin shtabet e tyre emergjente për të mbikëqyrur personat që janë të prekur me COVID-19, të sëmurët kronik. Kemi rregulluar funksionimin e disa sektorëve të ekonomisë, lejohet sektori i prodhimit, ndërtimit, të transportit të mallrave dhe distribuimit. Këto masa janë për tërë territorin e Kosovës”, tha ai.

“Janë bërë riorganizimet e nevojshme brenda spitalit, duke rritur shtretërit mbi 800. Sot janë 626 pacientë që janë shtrirë nëpër spitale. Bazuar në numrin e të infektuarve IKShPK ka nxjerrë statistikat duke i kategorizuar komunat në tri grupe, me ngjyrë të gjelbër që është zona me rrezik të ulët, kategoria e dytë komunat ku numri i rasteve shkon nga 76-150. Komunat me të kuqe kur rastet kalojnë brenda javës 150 raste të reja”, tha Hoti.

LEXO EDHE:

Back to top button