Kosovë, 13 të vdekur dhe 637 raste të reja me COVID-19

Të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndësisë Publike në Kosovë tha se gjatë 24 orëve të kaluara ka regjistruar edhe 637 raste me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Rezultatet janë në bazë të 1.712 mostrave të testuara.

Gjatë kësaj periudhe kanë vdekur edhe 13 pacientë.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 3 raste (81, 74 dhe 70 vjeç), Prizren 2 raste (71 dhe 65 vjeç), Fushë Kosovë 1 rast (54 vjeç), Gjakovë 1 rast (81 vjeç), Istog 1 rast (65 vjeç), Lipjan 1 rast (73 vjeç), Pejë 1 rast (46 vjeç), Prishtinë 1 rast (65 vjeç), Suharekë 1 rast (85 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (70 vjeç)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së

Sipas IKSHPK-së, janë shënuar edhe 104 pacientë të shëruar nga sëmundja, ndërsa raste aktive janë 7.798.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë regjistruar 24.792 të infektuar, prej të cilëve 768 kanë vdekur ndërsa 16.226 janë shëruar.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, zhvilloi të hënën një takim me kryetarët e komunave, me të cilët diskutoi për hapat që duhen ndërmarrë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Zemaj tha se lakorja e rasteve të fundit kërkon kujdes të shtuar dhe aktiv.

Në fundjavën që shkoi, në Kosovë ka qenë e ndaluar veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Në këtë periudhë janë mbyllur edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.

Në fundjavë, po ashtu, qytetarëve të shtatë komunave të Kosovës – Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Obiliq, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime – u janë ndaluar hyrjet dhe daljet, përveç në disa raste të domosdoshme.

LEXO EDHE:

Back to top button