Kosovë, autoritetet sot pritet të vendosin për masa të reja kundër Covid-19

Komiteti për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike rreth Covid-19 do të mblidhet sot për të shqyrtuar propozimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë për aplikimin e disa masave me qëllim që të parandalohet përkeqësimi i situatës epidemiologjike që do të mund të çonte te kufizimet ekstreme.

- Advertisment -

Komiteti do të shqyrtojë disa propozime që kanë të bëjnë me kufizime të mundshme apo reduktime të veprimtarive në sektorë të ndryshëm, rritje të përkujdesit në institucione publike e private, rritje të kujdesit për grup-mosha e kategori të caktuara dhe të tjera.

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës u bën thirrje qytetarëve të vendit që të zbatojnë me kujdes të shtuar masat në fuqi lidhur me kontrollin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19.

Gjatë ditës së djeshme, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nga 1608 mostrat e testuara ka regjistruar 418 raste pozitive të virusit SARS COV-2 (infeksionit Covid-19), prandaj me qëllim që të evitohet marrja e masave ekstreme kufizuese nga qytetarët, bizneset, dhe veprimtaritë e tjera kërkohet që të zbatojnë me përpikëri masat anti covid-19 në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë kërkon nga prindërit që të mos i ekspozojnë fëmijët e tyre në rreziqe për shëndetin duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme të paralajmëruara nëpër rrjete sociale si ato për Halloween, duke e ditur faktin se janë në fuqi vendimet që ndalojnë grumbullime të qytetarëve dhe organizime të ngjashme.

Ndërkohë, kërkohet nga Policia e Kosovës dhe inspektoratet përkatëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj shkelësve të vendimeve që lidhen me COVID-19, bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.

LEXO EDHE:

Back to top button