Kosovë, hetime për sulmet ndaj policisë në veri

Kosovë, hetime për sulmet ndaj policisë në veri

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se autoritetet po punojnë në mënyrë intensive në hetimin e sulmeve të fundit ndaj Policisë së Kosovës në komunat veriore. Gjatë një raportimi për punën e tij para deputetëve, Sveçla tha se gjashtë sulmet ndaj Policisë në javët e fundit “kanë sjellë një ndjenjë të pasigurisë te qytetarët atje”.

“Këto sulme mbi të gjitha kanë prapavijë tjetër, me synimin për të shkaktuar panik dhe pasiguri te qytetarët dhe për të destabilizuar situatën në vendin tonë”, ka deklaruar ai.

Në periudhën 13-26 prill, Policia e Kosovës ka regjistruar gjashtë sulme ndaj saj. Në sulmet e njëpasnjëshme ndaj Policisë, sipas autoriteteve, janë përdorur iriqë metalikë, gurë, granata dore, armë automatike dhe mjete piroteknike. Sipas Sveçlës, lidhur me këto sulme janë rritur aktivitetet hetimore në zonën e komunave veriore, të banuara me shumicë serbe. Megjithatë ai nuk ka përmendur nëse deri më tani është identifikuar ndonjë i dyshuar për këto sulme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button