Kosovë, mbyllen institucione paralele serbe

Kosovë, mbyllen institucione paralele serbe

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla, bëri të ditur se janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të vendit. Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt. Në videon e publikuar nga ai, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”. Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

“Qytetarë të nderuar nga sot kapitulli i Institucioneve paralele ilegale kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës mbyllet. Në Banjë, gjithandej në të gjithë pjesë të tjera të Republikës së Kosovës objektet komunale, postat, zyrat tatimore, gjitha mbetjet e Institucioneve paralele përfundojnë”, deklaroi Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm i Kosovës.

“Nga sot 28 Komunat paralele kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht. Këto Institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, tha Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button