Kosovë/“Qeveria po i ikën përgjegjësisë”, Asociacioni “në derë” të Ambasadës amerikane

Kosovë/“Qeveria po i ikën përgjegjësisë”, Asociacioni “në derë” të Ambasadës amerikane

Për Asociacion, ambasadori amerikan në Prishtinë do të diskutojë të martën me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë. Derisa ende nuk është bërë e ditur se kush nga politikanët do të marrë pjesë në këtë diskutim, njohës të zhvillimeve politike kritikojnë qeverinë për ikje nga përgjegjësia për këtë çështje. Ndërsa nga partitë opozitare theksojnë se nuk duhet pranuar formimi i një asociacioni një etnik dhe i cili e bën jo funksional shtetin e Kosovës.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj thotë se ftesa të tilla nga Ambasada amerikane janë të mirëseardhur por shton se qëndrimi i AAK-së është se nuk pranojnë Asociacion një etnik apo me kompetenca ekzekutive.

“Asociacionit është një temë e ndjeshme, ka ndjeshmërinë e vet dhe ne nuk guxojmë që as qeveria, as subjektet politike, që të bimë një asociacion ku e bënë jofunksional shtetin e Kosovës, dhe në këtë drejtim ne e kemi bërë qartë se nuk bëjmë kompromis sa i përket formimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive dhe një etnik. Prandaj si përfundim, mendoj që takime të tilla janë të mirëseardhura dhe mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetës i fortë i integritetit të Kosovës, i pavarësisë së Kosovës, i shtetit të Kosovës, i zhvillimit ekonomik dhe kjo qasje e tyre duhet përshëndetur”, thotë Lekaj.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi konsideron se qeveria po ikë nga përgjegjësia që ka derisa shton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë seriozisht çështjen e Asociacionit.

“Nëse e shikojmë në këndvështrimin e parë, pasi që Ambasada e ShBA-ve e ka bërë ftesën për statutin për të diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ftesa i ka shtuar shoqërisë civile por edhe partive politike, por edhe partive që janë në pushtet kjo është pozitive. Mirëpo nga ana tjetër, nga niveli i dytë e shikojmë si një farë lloj ikje nga përgjegjësia e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në një farë mënyrë të gjithë pushteti po themi kushtimit ekzekutiv ja ka dorëzuar Ambasadës amerikane, pikërisht po flas vetëm për këtë çështje (Asociacionin), kjo po tregon për shkak se SHBA-të e kanë marrë këtë çështje seriozisht për të përfunduar këtë pikë të marrëveshjes së Brukselit dhe që mund të shkojmë në marrëveshje finale”, thotë Arifi.

Arifi shton se Qeveria e Kosovës është dashur të përfundojë këtë çështje dhe të dorëzojë propozimin e saj për Asociacionin.

“Qeveria është dashur të përfundojë këtë çështje, të përfundojë statutin dhe të dorëzojë draftin e statutit të partnerët strategjikë, apo projekt-propozimin, ky është propozimi ynë, pasi që qeveria është tallur me ShBA-të është tallur edhe me vetveten nuk e ka marrë këtë çështje seriozisht atëherë ShBA-të e kanë marrë këtë çështje përsipër…. Nga ky takim nuk është që pritet shumë, kjo vetëm si iniciativë me siguri se statuti është i gatshëm diku dhe ai do të prezantohet, do të diskohen pikat të cilat mund të jenë poblematike apo çështjet që kërkojnë dialog më të thelluar, kështu që statuti do t’i dorëzohet mandej qeverisë si një draft propozim. Pra Qeveria e Kosovës nuk ka treguar aftësi menaxhimi nëse mund ta konkretizoj kështu”, shton ai.

Ftesë për këtë takim nuk ka marrë kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjë e cila për KosovaPress ishte konfirmuar nga Qeveria e Kosovës.

Por këtë javë, para gazetarëve Kurti deklaroi se diskutime të tilla mund të mbahen me akterë të ndryshëm mirëpo Kushtetuta e Kosovës nuk e duron asociacionin një etnik.

“Kjo është tejet e qartë edhe për ata që nuk janë juristë, për çdo qytetar të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm për çdo diplomat e politikanë ndërkombëtar është e qartë. Unë jam për respektimin e të gjitha të drejtave të pakicave të komuniteteve jo shumicë. Të gjithë serbët në Kosovë duhet të jenë dhe do të jenë të mbrojtur, t’i kenë shanset për zhvillim e për mirëqenie, t’i kenë të drejtat e garantuara me ligj dhe me kushtetutë. Mirëpo asociacionet e komunave që janë njësi territoriale jo vetëm administrative mbi baza etnike nuk duron kjo kushtetutë”, ka deklaruar Kurti.

Të gjitha partitë politike tashmë i kanë marrë ftesat për takimin e 31 janarit në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë.

Ndërsa pjesëmarrjen publikisht deri tani e ka konfirmuar zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq./KosovaPress/

 

LEXO EDHE:

Back to top button