Kosovë/ Shtëpi të shtrenjta e piktura milionëshe, politikanët e ruajnë dhe e shtojnë pasurinë – këshilltari i Kurtit thotë se ka shtëpi në vlerë 12 euro

Kosovë/ Shtëpi të shtrenjta e piktura milionëshe, politikanët e ruajnë dhe e shtojnë pasurinë – këshilltari i Kurtit thotë se ka shtëpi në vlerë 12 euro

Shtëpi gjysmë milionëshe të blerë së fundmi e koleksion pikturash disa milionësh. Inflacioni dhe problemet tjera globale nuk kanë mundur t’i afektojnë politikanët e Kosovës për ta ruajtur, e edhe për ta shtuar pasurinë e tyre, ndërkohë që mbi gjysma e familjeve në Kosovë nuk mund ta përballojë një shpenzim të papritur prej 100 eurosh në muaj. Ndërkohë, një këshilltar i kryeministrit duket sikur ka menduar të mos i demotivojë kosovarët, duke deklaruar se posedon shtëpi 12 euro e banesa rreth 100 euro.

Mbi gjysma e familjeve në Kosovë, sipas të dhënave që i pati publikuar Banka Botërore në vitin 2017, kanë telashe serioze financiare dhe s’mund ta përballojnë ndonjë shpenzim të papritur. Këta qytetarë në fundjavë kanë mundur të shohin pasurinë e përditësuar të politikanëve – përfaqësuesve të tyre.

Në ato të dhëna të Bankës Botërore dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sigurisht nuk futen familjet e politikanëve në Kosovë. Pavarësisht problemeve të tjera globale që sigurisht e kanë prekur edhe vendin e vogël ballkanik dhe specifikisht inflacionit në rritje, politikanët në Kosovë nuk kanë humbur asgjë nga pasuria e tyre, përveçse e kanë shtuar atë.

Kështu, grumbullimi i pasurisë nuk duket problem për politikanët në Kosovë, të cilët thonë se kursejnë shumë.

Afër 1 milion euro pasuri të paluajtshme ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani, njeriu më i votuar në Kosovë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Vetëm vitin e kaluar, ajo thotë se bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme e rezervist i FSK-së, ka blerë një “banim në varg”, siç ka deklaruar ajo në formularin e deklarimit të pasurisë, me vlerë mbi gjysmë milioni euro. Saktësisht, “banimi në varg” me 218 metra katror i ka kushtuar 510 mijë euro.

Osmani ka deklaruar se bashkë me bashkëshortin kanë edhe një banesë të blerë mbi 59 mijë euro, një garazh 6,000 euro, një shtëpi 170 mijë euro, tokë 35 mijë euro. Kanë po ashtu edhe një tjetër “banim në varg”, 244 metra katror, të vlerë në vitin 2019 dhe me vlerë 190 mijë euro.

Pronën e fundit mbi gjysmë milionëshe, Osmani ka arsyetuar se e ka blerë nga “shitja e shtepisë në Australi në pronësi të bashkëshortit, shitja e shtëpisë së prindërve të tij (vlera e trashëgimisë), kursime, hua familjare”. Pasuritë e tjera të paluajtshme, thotë se i ka bërë me “kursime dhe kredi” e “kursime dhe borxhe”.

Ajo ka deklaruar edhe një veturë të tipit Mercedes Benz në vlerë 10 mijë euro në pronësi të bashkëshortit. Ndërsa, ka deklaruar se ka dy kredi, një 40 mijë euro dhe tjetra 65 mijë euro.

Osmani ka deklaruar se në bankë ka 1 mijë e 77 euro që vijnë nga paga dhe mëditjet si presidente. Ndërsa bashkëshorti i saj ka deklaruar rreth 91 euro në dy banka, përfshirë edhe 266 dollarë australian.

Paga neto vjetore e presidentes është 33,070 euro, ndërsa e bashkëshortit 17,173 euro, pa përfshirë mëditjet dhe të hyrat nga një qira.

Kryeministri Albin Kurti e ka deklaruar si pasuri të paluajtshme një banesë 67 metra katror në pronësi të bashkëshortes, në vlerë prej 400,000 eurosh. Thotë se e ka blerë me kredi.

Në bankë ka deklaruar para të gatshme rreth 1,500 euro nga paga, ndërsa 2,500 euro në një llogari bankare të bashkëshortes në Oslo të Norvegjisë.

Kurti ka deklaruar se paga neto vjetore e tij si kryeministër është 19,043 euro, ndërsa paga vjetore e bashkëshortes së tij është 528,000 krone norvegjeze, apo 45,064 euro.

Ai ka deklaruar se paguan 250.00 euro qira mujore për shtëpinë mbi 200 metra katror ku banon në Prishtinë.

Ka deklaruar se bashkëshortja e saj ka kredi prej 220,000 eurosh, që e ka marrë për blrjen e apartamentit në vitin 2018.

Për dallim prej Kurtit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar nëntë prona të paluajtshme, tri prej të cilave thotë se i ka të trashëguara, pesë të blera, tri banesa, një shtëpi të ndërtuar, një depo dhe një parking. Të gjitha bashkë, me vlerë mbi 300 mijë euro.

Nga këto prona, Konjufca vetëm tri i deklaron të tijat. Gjashtë të tjera thotë se janë në pronësi të prindërve të tij.

Kryeparlamentari deklaron mbi 100 mijë euro në bankë, prej të cilave 9,104 euro të tijat, ndërsa tjerat të prindërve.

Konjufca e ka të deklaruar një veturë në vlerë 3,000 euro në pronësi të bashkëshortes.

Ai ka të deklaruar se ka kredi mbi 61 mijë euro.

Paga neto vjetore e tij është 27,555 euro, pa përfshirë mëditjet. Ndërsa ka deklaruar se paga neto vjetore e bashkëshortes së tij është 1,504 euro.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se posedon tri banesa, një objekt afarist dhe një rezidencë me vlerë të përgjithshme rreth 7 milionë euro.

Arkitekti i cili erdhi nga Londra për ta marrë udhëheqjen e kryeqytetit, si pasuri të luajtshme ka deklaruar një koleksion pikturash të trashëguar në vlerë 4 milionë euro. Ai gjithashtu ka thënë se posedon një veturë Tesla me vlerë 65 mijë euro.

Rama ka deklaruar se është bashkëpronar dhe zotëron aksione në shoqëri të shumta tregtare si: 4am shpk (aksionar 100%) me vlerë 100 mijë euro, Microcemento (100%) të aksioneve me vlerë 10 mijë euro, 4ma LTD (100 % aksione) me vlerë 2 milionë euro, aksionet e Rama and Rahmani, bashkëpronar në Rama & Rahmani (50%), Infinity 8 Ab (12.50%) me vlerë 300 mijë euro, Studio Rama LTD (100%) me vlerë 50 mijë euro, 4MA works LTD si dhe Nonlinear Matrix LTD me nga 100% të aksioneve me vlerë 100 mijë euro.

Ai ka deklaruar se ka para të gatshme në banka në Londër dhe Kosovë. 2,500 funta në Halifax Bank në Londër nga qiraja e banesës dhe shtëpisë si dhe 20 mijë euro në Kosovë nga pagat.

Rama ka deklaruar se ka edhe detyrime financiare si: një kredi 520 mijë euro për blerjen e një banesë në Welsburn Park Road, 490 mijë euro kredi për blerjen e banesës Unit 2b, 1.4 milionë euro kredi për blerje, 500 mijë euro kredi për blerje të 8 dhe 8a Vulcan way Croydon, Londër (përmes Studio Rama ltd) si dhe një kredi tjetër 470 mijë euro për blerje.

Përparim Rama ka deklaruar po ashtu se të ardhurat personale mujore të tij janë 1,300 euro si pagë si dhe rreth 15 mijë euro nga qiratë në Britani të Madhe.

Pasuri të bollshme kanë deklaruar edhe kryetarët e partive opozitare.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar një banesë me vlerë 120 mijë, të cilën thotë se e ka ndërruar me banesën paraprake. Thotë se kanjë shtëpi të përbashkët me bashkëshorten, e cila ka vlerën 180 mijë euro. Shtëpinë, thotë se e ka blerë me kredi, kursime dhe kontribut familjar.

Pasuri të luajtshme e ka deklaruar një veturë 21 mijë euro të në emër të bashkëshortes, të cilën thotë se e ka blerë me kredi.

Krasniqi ka deklaruar se posedon një bibliotekë 14 mijë euroshe dhe një vepër arti 8 mijë euro.

Ka deklaruar se ka një numër të madh kriptovalutash. Ka Bitcoin, q1% aktualisht vlen 65 mijë euro, Ether me vlerë 3.300 euro, Binance Coin = 560 euro e të tjera kriptovaluta me vlerë modeste. Krasniqi posedon edhe NFT (non-fungible toke).

Krasniqi ka deklaruar 3,394 euro para të gatshme në bankë, ndërsa bashkëshortja e tij ka 32.657 euro.

Ai thotë se ka kredi prej 65 mijë eurosh që e ka marrë për blerjen e shtëpisë dhe 30 mijë euro kredi tjera për rinovim të shtëpisë.

Ai thotë se ka afro 19 mijë euro të ardhura vjetore nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa të ardhurat vjetore të bashkëshortes së saj janë 15 mijë euro. Si trashëgimi të pronës familjare, Krasniqi ka deklaruar 50 mijë euro.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se kanë shtëpi me vlerë 200 mijë euro bashkë me bashkëshorten, të cilën thotë se e ka blerë me kredi dhe kursime. Ka edhe një shtëpi të trashëguar në emër të tij me vlerë 150 mijë euro dhe një tokë të trashëguar me vlerë 90 mijë euro.

Vitin e kaluar, Abdixhiku thotë se me bashkëshorten, përmes kredisë e kanë blerë një banesë me vlerë 260 mijë euro.

Ka deklaruar se ka një veturë Mercedes me vlerë 25 mijë euro dhe 6,700 euro në bankë.

Ka ‘overdraft’ prej 2 mijë eurosh në emër të tij, ndërsa 32.500 euro është kredia në emër të bashkëshortes për rinovim të shtëpisë, sipas deklarimit të Abdixhikut. Ai thotë se është në kredi prej 126 mijë eurosh së bashku me bashkëshorten për blerjen e banesës.

Abdixihiku thotë se ka të ardhura vjetore 19.017 euro nga Kuvendi dhe 24 mijë euro nga kolegji “Riinvest” ku punon si ligjërues. Bashkëshortja e tij ka afro 14 mijë euro të ardhura vjetore.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar një shtëpi me vlerë 300 mijë euro, një shtëpi tjetër me vlerë 270 mijë euro në emër të përbashkët me bashkëshorten, një tokë me vlerë 75 mijë euro, një truall me vlerë 27.300 euro, një shtëpi me vlerë 202 mijë euro, një shtëpi me vlerë 340 mijë euro, një vilë me vlerë 120 mijë në emër të përbashkët, një shtëpi me vlerë 202 mijë euro dhe një shtëpi tjetër me vlerë 340 mijë euro. Dy nga këto prona, Haradinaj thotë se i ka blerë me kredi.

Ai posedon veturë BMW me vlerë 8 mijë euro dhe një Cadillac me vlerë 19 mijë euro.

Haradinaj thotë se ka 50 për qind të aksioneve në shoqërinë tregtare “HCC sh.p.k”, dhe 50 për qind të tjera në emër të përbashkët.

Si para të gatshme, Haradinaj i ka deklaruar 16.180 euro që vijnë nga qiraja dhe paga. 58.882 para të gatshme janë deklaruar në emër të bashkëshortes së tij.

Thotë se është në kredi 180 mijë euro.

Si deputet i Kuvendit, Haradinaj thotë se merr 20.489.52 euro në vit, 2.700 euro si invalid i luftës, 48 mijë euro nga qiraja e shtëpisë, 30 mijë euro nga qiraja e një tjetër shtëpie. Bashkëshortja e tij ka 48 mijë euro të ardhura vjetore përmes qirasë së një shtëpie, 16.900 euro nga një projekt dhe 15.808 euro nga një tjetër projekt. 50 mijë euro, bashkëshortja e Haradinajt deklaron se i ka marrë huazim nga kompania “HCC”, në të cilën bashkë me kryetarin e AAK-së janë pronarë.

Në formularët e deklarimit të zyrtarëve të mbushur me pasuri të konsiderueshme, Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka deklaruar banesa e shtëpi që thotë se vlejnë më pak se 100 euro.

Ai ka deklaruar se posedon dy banesa, dy shtëpi, dy oborre dhe një veturë.

Dy banesat i ka deklaruar si në vlerë prej 115 eurove e 85 centëve, dhe njërën shtëpi në vlerë prej 12 eurove. Për shtëpinë tjetër, thotë se kushton 5 mijë e 500 euro.

Dy oborret, Feraj deklaroi se i kushtojnë më shumë se shtëpitë e banesat. Njëri 7 mijë euro, tjetri 1 mijë.

Feraj thotë se e ka një veturë me vlerë prej 9 mijë euro.

Ndërkohë që politikanët e shtojnë pasurinë, Kosova, megjithëse nuk ka të dhëna të përditësuara për varfërinë në vend. të fundit, të përpiluara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Banka Botërore, në vitin 2017, thonë se 18% e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, përkatësisht me rreth 2 euro në ditë, kurse 5.1% në varfëri të skajshme apo me më pak se 1.5 euro në ditë.

Një anketë e re e ASK-së është publikuar në vitin 2022 thotë se një shpenzim i papritur prej 100 eurosh në muaj do të ishte i përballueshëm për 43% të familjeve në Kosovë. Ndërsa, shpenzimet për një javë pushim larg shtëpisë janë të papërballueshme për 42.7 për qind të familjeve./GazetaExpress

LEXO EDHE:

Back to top button