Kovaçevski dhe Remenski, kandidatë për kryetar të LSDM-së

Fatlume Dervishi

Zyrtarisht, dy kandidatura për të zëvendësuar Zoran Zaevin në krye të LSDM-së… Në garë u fut ish nënkryetarja dhe ish deputetja e LSDM-së Frosina Remenski. Për të, është e kuptueshme që qeveria të shprehë mbështetje Dimitar Kovaçevskin meqë ai është pjesë e kabinetit qeveritar.

“Nuk mendoj se kjo do të jetë betejë e ideve të kundërta por do të jetë garë mençurishë dhe gjithmonë kur mençuritë do të bashkohet për një qëllim të përbashkët për të mirën e përgjithshme të shtetit dhe qytetarëve, rezultati nuk mund të jetë i keq. Pres gjithashtu në këtë periudhë, LSDM-ja ta shfrytëzojë për unitet të vërtetë të anëtarësisë, për konsolidim të radhëve partiake, për uljen e dallimeve mes strukturave të caktuara në kuadër të partisë sepse është shumë e rëndësishme se çfarë vizioni do të promovojmë”, tha Frosina Remenski, LSDM.

Uniteti brendapartiak ishte synimi që shprehu edhe kandidati tjetër për kryetar të LSDM-së Dimitar Kovaçevski gjatë dorëzimit të kandidaturës së tij. Aktualisht zv/ministër i Financave, Kovaçevski ka marrë mbështetjen edhe të Zaevit për të drejtuar LSDM-në në periudhën e ardhshme.

“LSDM-ja doli në zgjedhje pa një pjesë të partnerëve të koalicionit, pa një pjesë të qytetarëve, pa një pjesë të aktivistëve politik të cilët dolën me lista të veçanta dhe pa një pjesë të anëtarëve të partisë. U paraqit një jounitet. Një nga angazhimet e mia kryesore është ta kthejmë unitetin në parti, ta kthejmë unitetin në shoqëri që të mund të kemi edhe parti më të fuqishme demokratike dhe shoqëri më të fuqishme”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, LSDM.

Mundësia për kandidatura të reja është e hapur deri më 3 dhjetor. Më 12 dhjetor, anëtarësia e LSDM-së do të mund të zgjedhë kreu e ardhshëm të partisë në zgjedhje të drejtpërdrejta. Pas zgjedhjet së kryetarit, në Kongres të jashtëzakonshëm duhet të konsolidohen edhe organet e tjera të partisë. Kryetari i ardhshëm i LSDM-së pritet të jetë edhe mandatar i ardhshëm për kryeministër. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button