Krasniqi flet për ndikimin ekonomik të Lojërave Mesdhetare në Kosovë

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka deklaruar se Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 përbëjnë një mundësi historike për vendin, duke theksuar ndikimin e madh ekonomik dhe zhvillimor që sjellin ngjarjet e mëdha sportive. Këto komente ai i bëri gjatë Konferencës së investitorëve amerikanë të mbajtur në Prishtinë.

Krasniqi theksoi rëndësinë që ka organizimi i ngjarjeve të tilla për zhvillimin e vendit dhe për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare.

“Prishtina ka potencialin të bëhet një qendër rajonale për ngjarje të mëdha sportive ndërkombëtare. Ngjarje të tilla gjenerojnë turizëm, krijojnë vende pune, stimulojnë bizneset lokale dhe forcojnë partneritetet ndërkombëtare. Ndikimi ekonomik i ngjarjeve të mëdha sportive është i dëshmuar në mbarë botën — nga zhvillimi i infrastrukturës deri te tërheqja e investimeve afatgjata. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj një nga momentet më të rëndësishme që na pret përpara: Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Lojërat Mesdhetare përfaqësojnë një mundësi historike për Kosovën dhe për Prishtinën. Ato nuk janë vetëm një ngjarje sportive — ato janë një projekt zhvillimi kombëtar. Këto Lojëra do të përshpejtojnë zhvillimin e infrastrukturës, do të forcojnë bashkëpunimin institucional dhe do të krijojnë përfitime ekonomike afatgjata për vendin tonë”, theksoi Krasniqi.

Ai foli edhe për përgatitjet që tashmë kanë nisur për këtë ngjarje madhore, duke vënë theksin te vizioni i gjerë zhvillimor që lidhet me të./KosovaPress.

LEXO EDHE:

Back to top button