Krasniqi pas takimit me Lajçakun për draftin e Asociacionit: S’i dimë detajet, dreqi fshihet në to
Krasniqi pas takimit me Lajçakun për draftin e Asociacionit: S’i dimë detajet, dreqi fshihet në to

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se në takimin me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë biseduar rreth draft-statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në një prononcim para gazetarëve, ai e ka kritikuar Qeverinë Kurti për mostransparencë dhe ka thënë se dreqi fshihet në detaje, shkruan Klan Kosova.
“Ne patëm një takim me ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak. Ishte një takim informues në lidhje me rrjedhën e procesit të javëve të fundit. Ai na informoi për hapat që janë ndërmarrë nga ana e tyre dhe po ashtu në terma të përgjithësuar shprehu qëndrimin e shteteve të BE-së dhe përfaqësuesve të tjerë që drafti i Asociacionit që i është propozuar qeverisë është një draft që është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk shkon përtej vijave të kuqe”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, ai ka thënë se fatkeqësisht nuk ka pasur mundësinë që të konsultohet me Lajçakun në lidhje me tekstin integral të draft-statutit për Asociacionin.
“Nga ana ime, shpreha qëndrimin e PDK-së që ka qenë dhe vazhdon të mbetet konsistent se ne besojmë që duhet të ketë një vendosmëri më të madhe për të shkuar përpara me proces, por mbi të gjitha të ketë më shumë transparencë sepse nuk po flasim thjeshtë për një marrëveshje në mesin e dhjetëra marrëveshjeve që janë nënshkruar dhe diskutuar në të kaluarën, por po flasim për një nga pjesët me kontroverse që janë diskutuar dhe kanë preokupuar skenën politike të Kosovës për vite me radhë, pra draftin për themelimin e Asociacionit”, ka shtuar i pari i PDK-së.
“Në këtë kuadër mendoj që është për t’u kritikuar qasja e Qeverisë së Kosovës me mungesën e plotë të transparencës ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë sepse është e pamjaftueshme të thuhet që ky draft është apo nuk është në pajtim më kushtetutën, pa i lexuar nga një perspektivë edhe e ekspertizës kushtetuese të gjitha nenet dhe tekstin integral të marrëveshjes”, ka potencuar ai.