Kravinjo: Në rrugëtimin e Shkupit drejt BE-së, nuk do të hapet më çështja dypalëshe me Bullgarinë

Kravinjo: Në rrugëtimin e Shkupit drejt BE-së, nuk do të hapet më çështja dypalëshe me Bullgarinë

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Ministri portugez i punëve të jashtme Gomes Kravinjo nuk pret që në procesin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në, përsëri të hapet çështja bilaterale me Bullgarinë. Pas takimit me homologun e tij Bujar Osmani, ministri i jashtëm portugez tha se beson që vendet e BE-së do ta mbajnë fjalën e dhënë.

“Në marrëdhëniet ndërkombëtare e politike besoj se është e rëndësisë thelbësore të besojmë në fjalën e dhënë, në firmën e hedhur, në obligimin e marrë. Çështja bilaterale për të cilën Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në mënyrë intensive kanë biseduar, besoj se është e rrumbullakuar, ka konkluzion. Nuk pres që kjo çështje të hapët përsëri, nuk shoh ndonjë arsye përse të hapet përsëri e njëjta çështje”, tha Gomes Kravinjo, Ministër i Jashtëm i Portugalisë.

Për sa i përket gjuhës maqedonase, ministri i jashtëm Bujar Osmani foli edhe për deklaratën e njëanshme që vendi ia dorëzoi BE-së në konferencën e parë ndërqeveritare më 19 korrik, për të cilën tha se një deklaratë e tillë ishte pjesë e propozimit francez. Ai tha se pala bullgare e ka dërguar deklaratën e saj për gjuhën maqedonase në KB pesë vjet më parë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.

“Tani po i bëhet BE-së, një notë që tashmë i është dërguar OKB-së në vitin 2018, e cila nuk ka asnjë rëndësi juridike sepse Bullgaria votoi për një kornizë negociuese në të cilën gjuha maqedonase është e pastër. Qëndrimi ynë i njëanshëm është pjesë e atij propozimi francez, më parë edhe portugez dhe atij gjerman, për të përfaqësuar qëndrimin tonë në aspektin gjuhësor”, tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Lidhur me ndryshimet kushtetuese, për përfshirjen e bullgarëve në Preambulë, Osmani tha se Qeveria do të dorëzojë në Kuvend iniciativë në momentin kur do të bëhen vlerësimet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button