Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë tha se bota po përballet me krizën më të madhe energjetike në histori
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë tha se bota po përballet me krizën më të madhe energjetike në histori, për shkak të pasojave të luftës me Iranin. Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Fatih Birol, deklaroi se kjo krizë është më e madhe se ato të mëparshmet në vitet 1970 dhe në vitin 2022 së bashku, kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin. Birol shtoi se është detyrë e qeverive të hartojnë politikat e tyre energjetike për sektorin industrial, duke ruajtur konkurrueshmërinë e industrive ekzistuese dhe duke përgatitur hapat e ardhshëm për industritë e së nesërmes. Konflikti tashmë ka bërë që çmimet e gazit dhe naftës të rriten në mënyrë të ndjeshme përtej rajonit dhe ka rritur koston e ushqimit dhe të një game të gjerë produktesh të tjera. Sa më gjatë të mbetet i mbyllur Ngushtica e Hormuzit, aq më të rënda dhe më të përhapura do të jenë efektet dhe aq më shumë kohë do t’i duhet ekonomisë për t’u rimëkëmbur.
“Ne po përballemi me krizën më të madhe energjetike në histori. Kemi pasur tre të tilla në 50 vitet e fundit: kriza e naftës në vitin 1973, kriza e naftës në vitin 1979 dhe katër vite më parë, kriza e gazit natyror pas konfliktit Rusi-Ukrainë. Sasia e naftës dhe gazit që kemi humbur sot, në këtë luftë, është shumë më e madhe se të gjitha këto tre kriza së bashku, kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin. Për më tepër, ka mallra jetike që po i humbasim plehra kimike, helium, squfur. Në tërësi, një problem shumë, shumë i madh,” tha Fatih Birol, Drejtor ekzekutiv i ANE-së. /Alsat.mk








