Kriza / Durmishi: Çmimet e produkteve të qëndrueshme, sindikatat alarmojnë për shtrenjtim

Gazetar: Angell Dimovski

Autoritetet thonë se çmimet e produkteve janë stabile. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, pas mbledhjes së Këshillit Ekonomiko-Social deklaroi se, sipas analizave të tyre, çmimet janë rritur minimalisht, ndërsa tregtarët kanë dalë në ndihmë të qytetarëve dhe kanë ulur çmimet. Sipas tij, çmimet janë rritur, por jo edhe marzhat, prandaj nuk po ndërmerren masa. Nëse autoritetet kompetente konstatojnë se ka rritje edhe të marzhave, atëherë do të ndërmerren masa.

Durmishi thotë se çmimet janë rritur për 0,43%, çmimet e furnizimit janë rritur për 1%, ndërsa marzhat bruto të fitimit janë ulur nga 16% në 15%.

“Nëse, për shembull, inspektorati i tregut i kontrollon çdo ditë dhe konstaton se ka rritje ose sjellje devijante nga ana e tregtarëve, rritje të marzhës përtej asaj që tregojnë të dhënat e ekonomisë së tregut, normalisht që do të reagojmë me masa konkrete, ashtu siç kemi reaguar me kufizimin e marzhës për plehrat. Ata tregtarë u kapën duke e rritur marzhën dhe ne morëm vendim”, deklaroi Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.

Kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafilov, thotë se janë të nevojshme masa urgjente, sepse, sipas të dhënave, që nga fillimi i vitit vlera e shportës minimale sindikale është rritur për më shumë se 3.300 denarë.

“85% e kësaj rritjeje është në pjesën e ushqimeve dhe pijeve, prandaj është e domosdoshme të merren masa. Nuk e di çfarë operacionesh statistikore dhe çfarë të dhënash shohin përfaqësuesit e qeverisë, por nëse ka diçka pozitive është se ulja e akcizave në çmimet e karburanteve ndihmoi, megjithatë kjo nuk ishte e mjaftueshme, sepse për dy muaj radhazi vlera e shportës minimale sindikale është rritur për rreth 1.000 denarë. Duhet të veprohet më fuqishëm gjatë krijimit të masave”. tha Slobodan Trendafilov, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, inflacioni është rritur në pothuajse 5%./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button