Kryengritje në burgun e Idrizovës

Kryengritje në burgun e Idrizovës

Alsat jo zyrtarisht mëson se në orët e pasdites në burgun e Idrizovës ka ndodhur një revoltë e organizuar nga disa të burgosur. Të njëjtat burime thonë se nga përleshja mes policisë së burgut dhe të burgosurve ka disa të lënduar, ndërsa për të kthyer situatën nën kontroll kanë ndërhyrë edhe forcat policore dhe njësitë speciale.

Në zonën e burgut ka të pranishëm disa ekipe mjekësore nga ndihma e shpejtë. Pas kthimit të rendit, pritet edhe reagimi zyrtar i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve dhe MPB-së.

Ndërkohë Alsat mëson se tre partnerët më të mëdhenj në Qeveri, LSDM-ja, BDI-ja dhe ASH-ja, po bisedojnë për të shkarkuar, drejtorin e Drejtorisë së Sanksioneve, Jovica Stojanoviq, iniciativë e cila, është ngritur nga Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga.

Sipas burimeve të Alsat, shkarkimi i Stojanoviqit kërkohet për shkak të mungesës së rezultateve në punë, por edhe me kërkesë të faktorit ndërkombëtar, pas zhvillimeve që ndodhën në burgjet e vendit si arratisjet, hapja e tunelit, djegia e automjeteve të dy zyrtarëve në Burgun e Idrizovës dhe të tjera. Arsye tjetër e kërkesës për shkarkim është edhe shqetësimi që ngritën policët e burgut të Idrizovës për shkak të kërcënimeve dhe dhjetëra prej tyre kërkojnë dorëheqje ose kanë marrë pushime mjekësore.

Burime të Alsat njoftuan se drejtori i Sanksioneve, Jovica Stojanoviq, dje ka qëndruar edhe në Burgun e Strugës ku është takuar me ish-shefin e DSK-së Sasho Mijallkov. Stojanoviq ka konfirmuar për Alsat takimin me Mijallkovin, por se i njëjti sipas tij është realizuar në suaza të vizitave që i ka bërë gjatë ditës së djeshme në disa burgje të vendit ku ka takuar me më shumë të burgosur. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button