Kujdes nga trendi i rrezikshëm në TikTok

Mjekët po paralajmërohen rreth një trendi të rrezikshëm para ushtrimeve në palestër, të cilën po e praktikojnë disa njerëz. Ata po hanë proteina e shtesa të tjera në formë të pluhurit pa i përzier me ujë, siç rekomandohet nga prodhuesit.

Shkencëtarët, të cilët po mbajnë fjalime në një konferencë mjekësore në ShBA, janë të shqetësuar se këtë gjë mund ta provojnë adoleshentët, të nxitur nga grumbulli i videove të publikuara në internet. Ato video kanë marrë miliona pëlqime.

Rreziqet shëndetësore

Pluhuri që përdoret para ushtrimeve në palestër zakonisht përmban shumë aminoacide, vitamine dhe përbërës të tjerë, si kafeina, shkruan BBC.

Qëllimi është që t’i jepet organizmit një shtytje para ushtrimeve për ta forcuar qëndrueshmërinë, ndonëse aspekti shkencor i kësaj procedure është i luhatshëm. Sidoqoftë, ka rreziqe të njohura nga përdorimi i shumë nxitësve të energjisë.

Për shembull, doza e madhe e kafeinës mund të shkaktojë efekte anësore të lidhura me zemrën, përfshirë çrregullimin e ritmit të zemrës, rrahje më të shumta ose më të pakta se normalisht.

Një lugë e madhe me pluhur shtesash mund të ketë kafeinë sa pesë filxhanë me kafe, thonë hulumtuesit nga Qendra Mjekësore për Fëmijë “Cohen” në Nju Jork.

Sipas tyre, kjo mund të shkaktojë rritje të shtypjes së gjakut dhe ritmit të zemrës, duke çuar potencialisht në pengesa të ritmit të zemrës.

Futja aksidentale e këtij pluhuri në mushkëri mund të shkaktojë ngulfatje, infeksion ose pneumoni, thonë shkencëtarët.

Hulumtuesit analizuan 100 video të publikuara në TikTok, ku kishte materiale për përdorimin e shtesave para ushtrimeve fizike. Vetëm në 8 video prej tyre, njerëzit ishin duke i përdorur shtesat në mënyrën e duhur.

 

LEXO EDHE:

Back to top button