Kurti e Vuçiq me akuza ndaj njëri-tjetrit në mbledhjen e KS-së të OKB-së

Kurti e Vuçiq me akuza ndaj njëri-tjetrit në mbledhjen e KS-së të OKB-së

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Përplasje e ashpër mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Vuçiq akuzoi Kosovën se qëllimisht po krijon “kushte të padurueshme për jetën e serbëve dhe përndjekje sistematike”, duke iu referuar vendimit për përdorimin e euros si valutë të vetme nga 1 shkurti

“Me vendimin për ndalimin e pagesave të dinarit, Prishtina po pengon drejtpërdrejt funksionimin e të gjitha institucioneve sociale, shëndetësore, arsimore, sociale, kulturore dhe të tjera që u mundësojnë serbëve t’i sigurojnë vetes dhe familjeve të tyre nevojat elementare të jetës, arsimohen, mjekohen, blejnë ilaçe dhe bëjnë gjithçka tjetër që sot konsiderohet një jetë normale me një minimum të dinjitetit njerëzor”, tha Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti hodhi poshtë akuzat e Vuçiqit për përndjekje sistematike të popullatës serbe, duke ia përkujtuar atij se është Serbia ajo që ka kryer gjenocid në Kosovë dhe Srebrenicë. Kurti tha se
Serbia përbën rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon.

“Është thellësisht e pakëndshme dhe ironike dhe ndjenja ndaluese për t’iu përgjigjur akuzave të pavërteta për abuzim me të drejtat e njeriut të bëra nga persekutimeve nga një vend që është i njohur që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit 20 dhe qeveria e të cilit është aktualisht kërcënimi më i madh për paqe dhe siguri në rajon”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti ia bëri me dije Beogradit zyrtar se nuk mund të lejohet që të financojë pa fund grupet e veta kriminale. Ai tha se serbët lokalë në veri ndihen të frikësuar nga grupet kriminale.

“Beogradi nuk mund të lejohet pa fund të financojë kriminelët e terroristët e vet në Kosovë me rrjedha të tilla të parave që janë të paligjshme në Kosovë. Ky është burimi i vërtetë i histerisë së Serbisë për rregulloren e BKQ-së. Beogradi ka lëshuar alarmin jo vetëm për shkak të shkëmbimit të dinarit në euro, por pse ne po ndalojmë thasë me para në kufi. Ata ankohen jo për shkak të brengës së qytetarëve serbë të Kosovës”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Ambasadorja e SHBA-së Linda Thomas-Greenfield deklaroi se vendi i saj mbetet i përkushtuar për paqe e stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe se Serbia duhet të jep llogari për autorët e sulmit terrorist në Banjska, teksa kërkoi shtyrjen e vendimit të Kosovës për heqjen e dinarit.

“SHBA tashmë ka dënuar sulmin e dhunshëm dhe të koordinuar paramilitar serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjska më 24 shtator, i cili përfundoi me vdekjen tragjike të rreshterit të policit të Kosovës. Që nga koha e sulmit, pas katër muajsh dhe presim që Serbia të kërkojë llogari nga ata që janë përgjegjës, përfshirë edhe të ashtuquajturin liderin e tyre, i cili po qëndron në Serbi”, u shpreh Linda Thomas Grinfild, Ambasadore e SHBA-së.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, James Kariuki kërkoi nga të dyja që t’i respektojnë obligimet ekzistuese, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për ngjarjet në Banjskë.

“Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë obligimet e tyre ekzistuese dhe të shmangin veprimet dhe retorikën e njëanshme, në mënyrë që të vendosin themelet për një marrëveshje reciproke të pranueshme dhe të qëndrueshme. Së dyti, Kosova duhet vendosë të përdorë të drejtat sovrane në përputhje me vizionin e një demokracie multietnike të bazuar në dispozitat kushtetuese”, nënvizoi Xhejms Kariuki, Ambasador i Britanisë në OKB.

SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe shtete tjera aleate të Kosovës, i kërkuan Qeverisë që të shtyjë zbatimin e vendimit për ndalimin e dinarit. Kurti, ndërkaq, tha se do të punojë me serbët e Kosovës dhe do të flasë me ta në serbisht në mënyrë që t’ua bëjë të qartë se ndalimi i dinarit nuk i ndal ndihmat e Serbisë për ta. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button