Kurti goditet me vezë në Kuvend, vazhdojnë përplasjet politike

Kurti kërkoi sërish kohë shtesë për marrëveshje politike në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e reja.

“Insistimi ynë i drejtë është që të ulemi, të bisedojmë, të merremi dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshjeje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje dhe liderët e partive të tjera parlamentare, të konstituojmë Kuvendin, Qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin.” – Albin Kurti, Kryetar i LVV-së.

Ai sërish u bëri thirrje udhëheqësve partiakë që të takohen për të arritur një marrëveshje. Kurti tha se nuk dëshiron që në një seancë për presidentin të marrin pjesë vetëm deputetët e LVV-së dhe të komuniteteve joserbe. I pyetur për incidentin me deputeten e Aleancës, që hodhi vezë në drejtim të tij, Kurti tha se nëse gjuajtja me vezë drejt sakos dhe pantollonave të tij është çmimi që duhet të paguajë në mënyrë që udhëheqësit politikë të dialogojnë për të arritur një marrëveshje, ai është i lumtur ta paguajë një çmim të tillë.

“Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, ankohem që ata nuk dialogojnë,” deklaroi Albin Kurti, Kryetar i LVV-së.

Kurti përsëriti qëndrimin se presidenti duhet të jetë një figurë mbipartiake, jashtë aktualitetit politik. Marrëveshja politike, sipas tij, duhet të reflektojë edhe rezultatin zgjedhor. Deputeti i PDK-së Arian Tahiri shprehu keqardhje për incidentin por akuzoi Vetëvendosjen për abuzimin e parlamentit.

“Është për keqardhje me pa abuzimin që po ju bëhet institucionit më te rëndësishëm. ndryshojnë skenaret por qëllimi mbetet i njëjte me abuzua e cenua rendin kushtetues. Ne e dimë që LVV dhe Kurti e kanë numrin e mjaftueshëm të votave për ta bërë kryetarin e Kuvendit. Qytetarët kanë votuar për të pasur funksionalizim te institucioneve. Kjo që po e shohim në Kuvend ështe tërësisht mungesë e përgjegjesisë. Në anën tjetër është papërgjegjësi për jetën r qytetarëve,” tha Arian Tahiri, PDK.

LDK-ja akuzoi për papërgjegjësi totale.

“Fatkeqësisht, qytetarëve të Kosovës dhe besimin që na e kanë dhënë si deputetë edhe si subjekte politike na e kanë dhënë që t’i konstituojmë institucionet dhe që të jenë funksionale, në funksion të shtetit të Kosovës. Por po e shohim një papërgjegjësi totale nga subjekti i parë, i cili nuk po gjen mënyrën që të kryejë obligimin e vet kushtetues për ta prezantuar emrin e kryetarit të Kuvendit dhe për të bërë votimi dhe për t’u konstituar Kuvendi.” – Jehona Lushaku Sadriu, LDK.

Mbrëmjen e së premtes, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës kërkuan që seanca të mbahej para mesnatës dhe të përmbyllej procesi i konstituimit të Kuvendit. Por, ajo nuk u mbajt, pasi salla plenare ishte e mbyllur.

Gjatë ditës së djeshme, kreu i LVV-së, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u takuan, por nuk arritën një marrëveshje. Më vonë, Kurti iu drejtua me një letër kreut të PDK-së, Bedri Hamza, duke i ofruar postin e kryeparlamentarit, në këmbim të votës për presidentin e ri. Ofertë të ngjashme Kurti i kishte bërë PDK-së edhe muaj më parë, por ishte refuzuar. Për shkak të mungesës së marrëveshjes mes partive për çështjen e presidentit, vendi mbajti zgjedhje në qershor. Nëse partitë dështojnë sërish në arritjen e një marrëveshjeje atëherë Kosovë do të shkojë në zgjedhjet e katërtat në gati dy vjet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button