Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të marrë pjesë në Forumin e Paqes që mbahet në kryeqytetin e Francës, në Paris. Ky forum do të mbahet mes 11 dhe 13 nëntor 2021, teksa janë 25 mijë pjesëmarrës edhe online, 125 udhëheqës shtetesh e qeverish dhe 333 projekte do të prezantohen në “Hapësirën e Zgjidhjeve” (org. “Space for Solution”).
Në listën zyrtare të folësve të këtij forumi, nuk gjendet kryeministri Albin Kurti, raporton Zëri.
Është kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, në anën tjetër, që merr pjesë në këtë forum si folëse. Ajo është në mesin e udhëheqësve shtetërorë që do kenë hapësirën në debatet e planifikuara. Përveç vendeve më pak të rëndësishme, spikatet zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris dhe presidenti francez Emmanuel Macron, si folës.
Harris e Macron do të kenë fjalimet e para në hapje të Forumit të Paqes në Paris, teksa kryeministrja serbe Bërnabiq do të marrë pjesë në debatin “Përmirësimi i qeverisjes globale në kohën e Covid-19 dhe më gjerë”.
Pjesëmarrje të madhe do të ketë nga udhëheqësit e organizatave të mëdha ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe jo vetëm. Shumë prej organizatave ku Kosova ka tentuar dhe tenton të anëtarësohet, si UNESCO, do të jenë pjesë e këtij forumi.
Mospjesëmarrja në ndonjë nga debatet, pritet që Kurtit t’i japë kohë për takime në margjina të forumit për lobim.
Ky forum po mbahet pas Samitit të G20-s në Romë dhe Konferencës për Ndryshimet Klimatike në Glasgow COP26. Si edicioni i katër me radhë, fokusi do të jetë në adresimin multidimensional të krizës me Covid-19./Zëri/








