Kurti: Nga takimi në Bruksel pres gjëra konkrete

Kurti: Nga takimi në Bruksel pres gjëra konkrete

Përderisa i dërguari i BE-së Lajçak në Bruksel diskuton me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për radion Evropa e Lirë ka thënë se të gjitha problemet, të cilat mund t’i kenë qytetarët serbë lidhur me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, me anë të së cilës ndalohet përdorimi i dinarit serb, Qeveria e Kosovës do t’i adresojë me shpejtësi. Kurti tha se nga takimi në Bruksel pret gjëra konkrete. Kurse, thekson se ka pasur vazhdimisht opsione të ndryshme për çështjen e dinarit. Kurti nuk deshi të flasë për propozimet e mundshme për zgjidhjen e çështjes, pasi, sipas tij, dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës nëse ato shpalosen para kohe. Ai, megjithatë, thotë se ky është një proces që po vazhdon, “por nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që janë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”.

“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së. Njëkohësisht, ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme, sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike detyrat dhe funksionet janë të ndara”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button