Kurti nuk tërhiqet nga vendimi për dinarin, serbët dalin në protestë
Kurti nuk tërhiqet nga vendimi për dinarin, serbët dalin në protestë

Gazetare: Xhesika Sallahi
Serbët në Kosovë protestuan kundër vendimit të autoriteteve, që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, duke përjashtuar dinarin serb. Protestat u mbajtën në Mitrovicën e Veriut, ku të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Blumberg, është shprehur se vendimi për dinarin serb nuk mund të zhbëhet.
“Nuk mund ta zhbëjmë këtë vendim. Pra, ata kërkuan për më shumë kohë dhe ne po u japim më shumë kohë. Ne nuk po e ndalim dinarin. Ne thjesht po e zyrtarizojmë atë. Ata mund të kenë dinarë. Dhe në Kosovë ka 10 banka komerciale ku si mjet pagese, mund të shkëmbejnë dinarët në euro. Ne duam që serbët në veri të integrohen në shoqëri dhe shumica dërrmuese e tyre e kanë bërë këtë. Ata kanë karta identiteti kosovare, pasaporta, punojnë së bashku”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përjashton valutat e tjera, përfshirë dinarin serb, për pagesa. Faktorët ndërkombëtar kanë kritikuar vendimin për heqjen e dinarit serb, vendim ky i marrë pa konsultim paraprak.
Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores. Në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për situatën në Kosovë pas vendimit për ndalimin e dinarit, Serbia dhe Rusia fajësuan Kosovën për “spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë. Kurti iu përgjigj këtyre akuzave, duke i cilësuar si gënjeshtër. /Alsat.mk