Kurti-Serbëve: Ri regjistroni makinat në RKS

Serbia ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës. Me një dokument të tillë, që është cilësuar si zëvendësim për letërnjoftimin, kosovarët janë pajisur me të hyrë në territorin e Serbisë, tash e 11 vjet. As Kosova nuk do të lëshojë dokumente të tilla për qytetarët e Serbisë. Në Jarinjë dhe Merdarë, qytetarët e të dyja anëve kalojnë kufirin pa problem, me dokumentet e tyre personale. Marrëveshja për heqjen e këtij dokumenti u arrit fundjavën e kaluar. Ndërkohë Kosova ka nisur zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të riregjistrojnë makinat e tyre në targat Republika e Kosovës. Qytetarët serbë në veri të Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia – sikurse PR, KM, PZ, GL e të ngjashme – do të mund t’i regjistrojnë ato në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve.

 

“Targat e lëshuara nga Serbia PR, KM, PZ, GL, UR, PE dhe GJA janë trashëgimi e Millosheviqit. Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar. Konvertimi në targa RKS eliminon këtë barrë dhe ju siguron lëvizje të lirë, të pa penguar dhe pa paragjykime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Kurti tha se riregjistrimi do t’u mundësojë qytetarëve serbë që me makinat e tyre të qarkullojnë në tërë territorin e Kosovës. Në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut vlerësohen se qarkullojnë 10.000 vetura me targa serbe. Teksa Serbia ka kërkuar që serbët në veri të përdorin targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – Kosova ka kundërshtuar një ide të tillë. Por, që një qytetar të regjistrojë një veturë në Kosovë, atij i duhet që të ketë dokumente të Kosovës, përkatësisht letërnjoftim. Shumica e serbëve në Kosovë kanë shtetësi të dyfishtë dhe ata përdorin shtetësinë e Serbisë. Por, Kosova dhe Serbia nuk njohin sistemet e njëra-tjetrës dhe Prishtina zyrtare shpesh nuk njeh dokumentet e lëshuar nga autoritetet serbe. Si rrjedhojë, mungesa e dokumenteve të Kosovës mund të paraqesë problem për procesin e riregjistrimit të makinave.

LEXO EDHE:

Back to top button