Kurti triumfon në zgjedhje, por sfidat për formimin e qeverisë sapo nisin
Rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, e nxorën partinë e Albin Kurtit, Lëvizjen Vetëvendosje, të parën – me 42.91% të votave. Pas saj renditen: Partia Demokratike e Kosovës me 21.08%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.17% dhe Lista Serbe me 6.17%.
Sipas rezultateve prelimenare, pa votat e diasporës, Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, PDK-ja 24 deputetë, LDK-ja 20, AAK-ja 8 dhe nga 10 vende të garantuara do të kenë pakicat.
Pas shpalljes së fitores, Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, e la të hapur mundësinë për bisedime dhe bashkëpunime me partitë e tjera.
“Natyrisht, që në javët në vijim, do të komunikojmë, do t’i takojmë e do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politikë të Republikës të Kosovës, sepse ne e kemi para së gjithash e mbi të gjitha interesin publik, vullnetin e përgjithshëm dhe Republikën sovrane e të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me devotshmëri. Pra, llogaritni në neve, jo vetëm në punën që bëjmë por edhe në bashkëpunimin që do të bëjmë,” deklaroi Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes.
Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku bëri të ditur se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Vjosa Osmanit për presidente në kuadër të diskutimeve për formimin e institucioneve të reja.
“Ky rezultat i sotëm është reflektim i një bashkimi të madh njerëzor e politik. Është rezultat i një fryme të re që e kemi ndërtuar së bashku me Vjosa Osmanin. Është rezultat i punës së jashtëzakonshme dhe të palodhshme të strukturave tona, të kryetarëve të degëve, aktivistëve, grave, të rinjve, kandidatëve tanë, të 110 kandidatëve, komisionerëve, vëzhguesve që ruajtën votën dhe mbi të gjitha të qytetarëve që donin ndryshim,” deklaroi Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.
Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, thyen një rekord historik. Dhe ai nuk ishte për të mirë.
Ato shënuan përqindjen më të ulët të daljes së qytetarëve në votime, prejse vendi mban zgjedhje demokratike, pas luftës, sipas një analize krahasuese që ka bërë KosovaPress.
Në procesin e 7 qershorit 2026 morën pjesë vetëm 36.88 për qind e trupit elektoral. /Alsat.mk








