Vuçiq shpërndan Parlamentin, zgjedhjet më 25 tetor
Vuçiq shpërndan Parlamentin, zgjedhjet më 25 tetor
Qytetarët e Serbisë do t’u drejtohen sërish kutive të votimit më 25 tetor. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkroi dekretet për shpërndarjen e Kuvendit Kombëtar të Serbisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ato do të jenë zgjedhjet e 15-ta parlamentare që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Serbi dhe të 11-at të parakohshme. Vuçiq tha se gjatë një viti e gjysmë të kaluar ka pasur trazira të mëdha në skenën politike të brendshme.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, ne kemi arritur të ruajmë paqen, të ruajmë stabilitetin dhe ta udhëheqim vendin drejt së ardhmes, dhe ta shtyjmë përpara, pavarësisht problemeve të shumta, nga lufta në Ukrainë, lufta në Iran. Serbia ka arritur ta udhëheqë ekonominë e saj në një mënyrë të tillë që të jetë me rritjen më të shpejtë në Evropë këtë vit, me Fondin Monetar Ndërkombëtar që vlerëson se do të jetë me shumë mundësi ekonomia me rritjen më të shpejtë në vitin 2027.” – Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.
Ndërsa pushteti hedh poshtë pretendimet për parregullsi në zgjedhjet e deritashme, zgjedhjet e fundit lokale, të mbajtura në mars të vitit 2026 në dhjetë komuna të Serbisë, u shoqëruan me incidente dhe prani të policisë në rrugë. Misioni vëzhgues i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës tha se anëtarët e delegacionit të tij ishin dëshmitarë të dhunës në pothuajse të gjitha komunat që vizituan gjatë zgjedhjeve lokale. Përplasje të ashpra, prani kërcënuese e personave të maskuar, dhunë dhe shkelje e fshehtësisë së votës ishin ndër dukuritë e evidentuara nga misioni vëzhgues i Këshillit të Evropës në këto zgjedhje, ndërsa OSBE-ja tha se regjistroi një nivel “të paprecedentë” të sulmeve ndaj gazetarëve.
Zgjedhje të parakohshme studentët kërkojnë që nga maji i vitit 2025 të cilët mbajnë të bllokuara fakultetet dhe që për muaj me radhë kanë udhëhequr protesta kundër Qeverisë. Në këto protesta është kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 njerëzve në një incident në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit 2024. / Alsat.mk








