Kush është Gentian Sala? Koordinatori për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri

Pas takimit të sotëm mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe atij kosovarë Albin Kurti, u bë e ditur se do të formohet Sekretariat Koordinues për Marrëdhëniet Bilaterale mes Kosovës dhe Shqipërisë, përcjell Alsat. Të dy kryeministrat njoftuan se Sekretariati do të udhëhiqet nga Gentian Sala, i cili posedon dy nënshtetësi, atë shqiptare dhe kosovare.

Nga biografia e Qeverisë së Shqipërisë, mësohet se Sala është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2001. Në vitin 2008 ka kryer studimet Master për “Studime Evropiane” në Universitetin e Tiranës.

Që nga viti 2009 – 2014 ka qenë drejtor i projektit “Blej Shqip”, një organizatë jofitimprurëse që merret me promovimin e prodhimeve Shqiptare. Pas studimeve universitare për një periudhë njëvjeçare nisi të punonte si Asistent i Ministrit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik.

Gentian Sala ka qenë aktivist prej katër vitesh në Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Kryesisht, ka marrë pjesë në disa projekte dhe aktivitete nga ku mund të përmendim mbledhjen e fakteve dhe dëshmive të gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës së luftës në vitin 1999 si dhe pjesëmarrjen e tij në projektin e monitorimit të burgjeve dhe dhomave të paraburgimit në Shqipëri.

Ai ka një eksperiencë dhjetë vjeçare si administrator dhe njëkohësisht aksioner në kompani të ndryshme shqiptare. Në nëntor të vitit 2014 u zgjodh nga Parlamenti Shqiptar si Kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Ai mban titullin avokat që nga viti 2004 dhe zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

LEXO EDHE:

Back to top button