Kuvend, nesër nis debati për qeverinë e re


Një ditë para seancës parlamentare për votimin e Qeverisë së re, mandatari për kryeministër, Zoran Zaev u zotua se pos tejkalimit të krizës shëndetësore, do t’i përkushtohet tejkalimit të krizës ekonomike që shkaktoi pandemia COVID 19 në vendin tonë. Ai theksoi se përveç planeve të tij, për zhvillimin ekonomik të vendit duhet të kontribuojnë të gjithë qytetarët.

Jam tërësisht i motivuar t’i përkushtohem standardit të jetës së qytetarëve, kjo nënkupton rregullimin e sistemit, rend, drejtësi, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, por edhe ekonomi. Nëse e respektojmë të gjithë orarin e punës do të kemi sukses. Nëse punojmë 2-3 orë dhe i ikim përgjegjësisë, do t’i kemi punët keq, por nëse të gjithë punojmë 8 orë për ta siguruar jetesën, do t’ia dalim”-tha Zoran Zaev, mandatar për kryeministër.

Ndërkohë VMRO DPMNE-ja e cilëson Qeverinë e propozuar nga Zaev si kriminele dhe skandaloze. Zëdhënësi, Dimçe Arsovski paralajmëroi se deputetët e kësaj partie do t’i elaborojnë në seancë arsyet pse Qeveria e propozuar nga Zaev nuk meriton të udhëheq me vendin.

Absolutisht do të marrim pjesë dhe do të votojmë “Kundër”. Kemi mijëra e mijëra arsye të debatojmë për kuadrot e reja, të vjetra të LSDM-së që janë përplot afera kriminele, nepotizëm dhe një sërë skandalesh të tjera gjatë viteve të kaluara”-tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Seanca parlamentare për Qeverinë fillon të shtunën në ora 11:00, ndërsa afati për debat është dy ditë. Partnerët e koalicionit qeveritar, LSDM dhe koalicioni Mundemi, BDI-ja dhe PDSH-ja janë marrë vesh që Qeverinë e re ta udhëheq Zaev për mandat prej 4 vitesh, ndërsa në 100 ditët e fundit në krye të ekzekutivit të vihet propozimi i BDI-së. Ndryshe nga Qeveria e mëparshme me 26 ministra, Qeveria e re do të ketë 19 ministra. 11 ministra do të ketë LSDM-ja, 6 BDI-ja dhe nga 1 ministër do të kenë Lëvizja Besa dhe Partia liberal-demokrate.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button