Kuvend, shumica parlamentare synon votim “online”

LSDM-ja beson se nuk do ta ketë problem të miratohet ndryshimi i Rregullores me të cilin do t’u mundësohet deputetëve që janë në izolim virtualisht të jenë pjesë e seancës dhe të votojnë “online”. Ndryshimi i Rregullores bëhet me shumicë të thjeshtë dhe pushteti beson se do të sigurojë shumicën e nevojshme.

Në Kushtetutë definohet pjesëmarrja por askund nuk shkruan “prezencë fizike”. Ne me këto ndryshime në Rregullore përcaktojmë se “prezenca e deputetëve” do të thotë edhe kyçje “online” në punën e Kuvendit dhe gjatë votimit – u shpreh Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE.

LSDM-ja fton opozitën të mos e bllokojë miratimin me amendamente. Por, VMRO-DPMNE-ja nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj. Thotë se pjesëmarrja “online” e deputetëve në punën e Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ky lloj i punës është jokushtetuese sipas nenit 69 të Kushtetutës i cili qartë thekson se Kuvendi mund të punojë, të mblidhet dhe të vendosë me prezencën e shumicës së deputetëve nga numri i përgjithshëm i deputetëve – tha Ivan Jordanov, VMRO-DPMNE.

Opozita shqiptare beson se kjo formë e punës mund të keqpërdoret. Sipas tyre, Kuvendi mund të punojë edhe me deputetët e mbetur që s’kanë vendim për izolim.

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka besueshmëri për funksionim online të Kuvendit aq më pak kur dihet se në sistemin zgjedhor kur kemi aq sisteme mbikëqyrëse, përsëri bëhen keqpërdorime, të mos flasim për keqpërdorime të tilla “online”. Kuvendi çdoherë ka pasur njerëz të sëmurë, njerëz të cilët kanë munguar dhe do të vazhdojë të ketë – tha Skender Rexhepi, Koalicioni ASH-AAA.

Zyrtarisht, tre deputetë të pushtetit janë në izolim për shkak të infektimit me virus korona. Jozyrtarisht, po aq deputetë janë në izolim edhe nga radhët e opozitës. Nisma për ndryshimin e Rregullores është e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi. Ajo parashikon që deputetët të cilët kanë vendim për izolim ta njoftojnë kreun e Kuvendit, të dorëzojnë vendimin zyrtar për izolim nga autoritetet shëndetësore si vërtetim dhe t’i mundësohet pjesëmarrja virtuale në seancat plenare dhe në punën e komisioneve. Nisma parashikon obligimin e Kuvendit që deputetit t’i sigurojë pajisje teknologjike për këtë qëllim.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button