Lajçak porosit serbët: Nuk mund të ketë barrikada dhe trazira në veri

Lajçak porosit serbët: Nuk mund të ketë barrikada dhe trazira në veri

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Nuk mund të ketë më barrikada dhe trazira në Mitrovicën e Veriut. Këtë ua ka bërë të qartë përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës emisari i BE-së Mirosllav Lajçak, para se së bashku me emisarin e SHBA-së Gabriell Eskobar të nisen për në Beograd për të takuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Unë jam këtu për të bërë gjithçka së bashku me miqtë tanë amerikanë në mënyrë që të mos ketë barrikada, të mos ketë trazira dhe të mos ketë lëndime dhe që njerëzit të jetojnë të qetë. Duam që 1 shtatori të jetë një ditë normale, një ditë e zakonshme”, deklaroi Mirosllav Lajçak, i dërguar i BE-së.

Eskobar tha shkurt se “misioni vazhdon në Beograd”.

“Unë vetëm dua të them se ne kemi marrë në konsideratë shqetësimet e kryetarëve. Misioni ynë vazhdon në Beograd. Unë shpresoj që ne do të jemi në gjendje të bëjmë një deklaratë në Beograd sot vonë apo nesër në mëngjes”, tha Gabriell Eskobar, I dërguar i SHBA-së.

Nga ana tjetër presidenti serb tha mbrëmë se pas takimit me Lajçakun e Eskobarin do t’i dërgojë një letër misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, lidhur me njoftimin nga ky mision që tha se nuk do të lejojë ngritje të barrikadave në veri të Kosovës.

“Qëllimi juaj duhet të jetë mbrojtja e popullatës serbe, ata janë minoritet. Pse po i ndihmoni shqiptarët që të shtypin këtë minoritet. Pse, së bashku me shqiptarët po keqtrajtoni serbët, a është detyra juaj apo jo që të ndihmoni serbët”, u shpreh Aleksandar Vuçiç, President i Serbisë.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári ka thënë se situata është e qetë dhe se forcat ndërkombëtare më nuk do të lejojnë vendosjen e barrikadave. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ka ardhur koha për një marrëveshje përfundimtare gjatë mandatit të tij. Kurti në një intervistë për “Bloomberg” ka thënë se është gati për një marrëveshje për t’i afruar të dyja vendet pranë anëtarësimit në BE, teksa shtoi se kjo mund të ndodhë vetëm me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ne duhet të kemi një marrëveshje dhe koha ka ardhur gjatë mandatit të qeverisë sonë. Unë shoh mundësinë. Këtë vjeshtë do të zbulojmë nëse do të shkojmë atje. Kjo vjeshtë është mjaft vendimtare për të parë nëse duhet të jemi optimistë”, theksoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti bëri të ditur edhe një herë se nuk do të pranojë shtyrje tjetër të vendimit për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet për hyrje-dalje. Ai tha se 1 shtatori pret që të jetë një ditë e qetë dhe e zakonshme duke shtuar se nëse situata përshkallëzohet në dhunë, policia dhe forcat e KFOR-it do t’i japin fund. Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targa dhe dokumente, Kurti dhe Vuçiq u takuan më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por pa arritur ndonjë rezultat konkret. Qeveria e Kosovës, më 1 shtator, pritet të nisë zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – dhe për lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë. Ky vendim, i paraparë të niste së zbatuari më 1 gusht, është shtyrë për 30 ditë, për shkak të tensioneve që ka shkaktuar në veri të Kosovës, përfshirë ngritjen e barrikadave nga disa serbë lokalë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button