Liderët të vendosur dhe me premtime! Në Kosovë nis fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit

Kosova prej sot zyrtarisht është në  fushatë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Vetëvendosja që për kandidat për kryeministër ka liderin e partisë Albin Kurtin, fushatën e nisi në disa qytete: Pejë, Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë e Ferizaj.

“Tash këtu në shesh takuam qytetarët pejanë, të cilët masivisht janë të vendosur për ndryshime dhe do të ketë pjesëmarrje rekord të popullsisë në përgjithësi, përfshirë Pejën, në zgjedhjet e 14 shkurtit. Pra, po na merr moti shumë i mirë dhe duket që kjo fushatë e paralajmëron pranverën e vitit 2021”, theksoi Albin Kurti, kandidat për kryeministër të Kosovës.

Kandidati i PDK-së për kryeministër Enver Hoxhaj në një takim me banorët e fshatit Graikoc të Suharekës tha se fitorja e PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit është e pandalshme.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për PDK-në meqë shokët tanë në mënyrë të padrejtë po përballen me një gjykatë….Këto zgjedhje janë zgjedhje, të cilat kanë të bëjnë me dinjitetin e PDK-së, me dinjitetin e UÇK-së e me dinjitetin e secilin prej jush”, deklaroi Enver Hoxhaj, kandidat i PDK-së për kryeministër.

LDK-ja e Isa Mustafës fushatën e nisi në Podujevë, komunë kjo të cilën ajo e humbi në garën e vitit të kaluar për kryetar, për herë të parë pas 20 vjet qeverisje.

“Për kandidat për kryeministër e kemi Avdullah Hotin, njeriun e mençur e të urë, që di t’i zgjidhë problemet e qytetarëve të Kosovës.  Hoti është njeri që na solli njohjen nga Izraeli dhe nënshkroi marrëveshjen e parë në Shtëpinë e Bardhë”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK-së

Kreu i AAK-së Ramush Hradinaj i cili synon postin e presidentit përsëriti edhe një herë idenë e tij për referendum për një Union mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Presidenti poashtu e ka një obligim që në rast se në vitin 2025 nuk kemi arrit anëtarësimin në OKB, nuk jemi në dyert e NATO-s dhe nuk kemi përparim në integrimet euroatlantike, atëherë t’i krijon mundësi qytetarëve që vetëvendosin për union me Shqipërinë”, pohoi Ramush Haradinaj, kandidat për president. 

Fatmir Limaj tha se Nisma do të jetë befasia e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai tha se do të garantojë që zëri dhe fryma e çlirimtarëve të ruhet brez pas brezi.

“Sot më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për zërin e çlirimtarëve në Kuvend, sot më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për njerëz që kanë interes mbrojtjen e atdheut”, tha Fatmir Limaj, Kryetar i Nismës Socialdemokrate.

Në përbërjen e ardhshme parlamentare 10 ulëse janë të rezervuara vetëm për përfaqësuesit e serbëve ndërsa 10 vende tjera për pakicat tjera. Në këto zgjedhje po marrin pjesë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1079.

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button